Moisi Habilaj është arratisur për t’i shpëtuar dënimit me burg nga drejtësia italiane për trafik ndërkombëtar droge. Menjëherë pasi Gjykata e Apelit në Katania konfirmoi dënimin me 15 vite burg, oficerët e policisë shkuan në banesën ku Moisi Habilaj ishte në arrest shtëpie, por nuk e kanë gjetur aty.
Habilaj fillimisht u izolua në burg, por më pas masa e sigurisë u zbut nga gjykata e shkallës së parë italiane. Deri në një vendim përfundimtar, Habilaj jetonte me qira tek banesa e të vëllait në zonën e Raguzës.
Tre ditë më parë kur policia italiane ka shkuar t’i komunikojë vendimin ka rezultuar se Habilaj është zhdukur pa lënë gjurmë. Autoritetet italiane e kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ndërkohë edhe Policia Shqiptare është informuar për ngjarjen, pasi ka dyshime se ai mund të ketë ardhur në vendlindje, por deri më tani nuk ka informacion të saktë.
Moisi Habilaj u dënua në Itali së bashku me Meridian Sula, Nezar Seiti dhe 5 italianë, me akuzën e organizatës kriminale dhe trafikut të drogës.
Habilaj është i afërm i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ndaj të cilit gjithashtu është në zhvillim procesi gjyqësore në Gjykatën e Posaçme pasi akuzohet se ka bashkëpunuar më vëllezërit Florjan e Moisi Habilaj duke shpërdoruar detyrën.