Mjeku Pëllumb Pipero ishte nga të parët që u vaksinua ndaj koronavirusit në vendin tonë. Pasi mori vaksinën, ai u shpreh se ishte e fat që ishte nga të parët.
“Besoj se është një moment i veçantë. Isha me fat që e mora vaksinën ndër të parët. Kam qenë me fat që nuk jam infektuar deri tani. Vaksina shënon fillimin e fundit të kësaj pandemie”.
Më tej, mjeku tregon për gjendjen e tij pasi u vaksinua. “Jam i qetë. Ndihem mirë. Nuk pata ndonjë efekt anësor, të paktën deri tani. Fasha e riskut, të gjithë qytetarët, në nevojë të jenë pjesë e këtij procesi. Unë jam njoftuar dje nga Shefja e Shërbimit. Përgjithësisht, efektet anësore të kësaj vaksine janë të vogla, të paktën ato që njohim, efektet anësore afatshkurtra. Nuk kemi dijeni ende për efekte anësore afatgjata, sepse vaksina është relativisht e re. Bëhet fjalë për dhimbje, për skuqje, ndonjëherë të përziera, të vjella, por që unë nuk i pata. As personat që janë vaksinuar deri tani nuk i kanë pasur”, u shpreh Pipero.
Ndërkohë, Shefja e Shërbimit të Spitalit Infektiv, Najada Çomo, e cila ishte personi i parë i vaksinuar në Shqipëri, e konsideroi veten me shumë fat. “Ishte kënaqësi e madhe që u bë realitet edhe pse nuk e besonim. Ne jemi njerëzit më të gëzuar, pasi jemi përballur me një realitet shumë të vështirë”.