Me katër republikanë që njoftojnë hapur se do të mbështesin haptazi shkarkimin e Presidentit Trump për nxitjen e dhunës ndaj Kongresit Amerikan, Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve janë gati për një votim historik për të hequr presidentin nga zyra e tij
Dhoma e ulët e parlamentit amerikan, Dhoma e Përfaqësuesve, miratoi një rezolutë të martën duke i bërë thirrje Zv.Presidetit Mike Pence të fillojë procesin, i cili mbështetet në Amendamentin e 25-të të Kushtetutës, për të hequr Presidentin Donald Trump nga pushteti.
Por Pence i është drejtuar me një letër Kryetares së Dhomës Nancy Pelosi, duke i thënë se ai nuk e pranonte iniciativën dhe nuk do ta bënte atë.
Mbështetja në Amendamentin 25 nënkupton që Pence dhe shumica e administratës Trump do të duhet ta deklarojnë Trump-in të paaftë për të kryer detyrat e tij.
Pozicioni i zv.presidentit nënkupton se demokratët do të vijojnë me votimin për Impeachment.
Ligjvënësit republikanë mbështesin demokratët
Demokratët sigurojnë mbështetjen e disa ligjvënësve republikanë në përpjekjen për të shkarkuar presidentin amerikan Donald Trump.
Zyrtarja e tretë më e lartë republikanë në dhomën e përfaqësuesve, dhe vajza e ish-zëvendës presidentit Dick Cheney, tha se do të votonte për nisjen e procedurave të impeachment ndaj Trump, lidhur me trazirat e javës së kaluar në Kongres. Dy pjesëtarë të tjerë të partisë së presidentit Trump, John Katko dhe Adam Kinzinger, thanë se do të votonin për shkarkimin e tij.
“Më shumë do të mësohet gjatë ditëve dhe javëve në vazhdim por ajo që dimë është e mjaftueshme. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, organizoi turmën dhe nxiti sulmin në Kongres. Çdo gjë që pasoi ishte vepër e tij. Unë do të votoj për të shkarkuar presidentin”, u shpreh Liz Cheney, ligjvënëse republikane.
Kjo është hera e parë që një zyrtar i lartë i partisë së presidentit në detyrë, mbështet Impeachment, që prej udhëheqjes së Richard Nixon.
Mediat amerikane thanë se kreu i republikaneve në dhomën e ulët, Kevin McCarthy, aleat i Trump, vendosi të mos iu kërkojë pjesëtarëve të partisë të votojnë kundër një mase të tillë. Ndërkaq New York Times, shkruan se lideri i republikaneve në senat, Mitch McConnell, është shprehur për persona të afërt se ishte i kënaqur me vendimin e demokratëve për të shkarkuar dhe ndjekur penalisht presidentin, pasi në këtë mënyrë partia do të shpëtonte prej tij.
Trump i quan “qesharake” përpjekjet e demokratëve për ta shkarkuar
Presidenti amerikan Donald Trump tha të martën se përpjekja e ligjvënësve demokratë për të ngritur akuza për shkarkim në ditët e fundit të presidencës së tij është “absolutisht qesharake”. Duke folur para gazetarëve për herë të parë që kur mijëra mbështetës të tij sulmuan Kapitolin të mërkurën e kaluar.
Presidenti Trump hodhi poshtë çdo pretendim se ai ishte përgjegjës për kaosin që la të vdekur pesë njerëz. Trump u kishte kërkuar mijëra mbështetësve të tij në një tubim pranë Shtëpisë së Bardhë për të “luftuar” kundër përpjekjes së ligjvënësve për të certifikuar rezultatin e zgjedhjeve në të cilat ai humbi ndaj rivalit demokrat Joe Biden. Por presidenti tha të martën se, ” (kjo çështje) është analizuar dhe njerëzit menduan se ajo që thashë ishte plotësisht e përshtatshme”.
Presidenti Trump i bëri komentet ndërsa po nisej drejt kufirit jugperëndimor me Meksikën për të inspektuar murin që ai ka ndërtuar për të penguar imigracionin e paligjshëm, të cilin ai e konsideron si një nga arritjet e tij kryesore si president. Zoti Trump tha se përpjekja për të ngritur akuza ndaj tij është një “vazhdim i gjuetisë më të madhe të shtrigave në historinë e politikës”. Me të njëjtat fjalë ai i ka përshkruar edhe hetimet e mëparshme ndaj tij për pretendimet se Rusia e ndihmoi të fitonte zgjedhjet e vitit 2016 dhe miratimin nga Dhoma e Përfaqësuesve të akuzave për shkarkimin e tij në vitin 2019 pasi ai kërkoi ndihmën e Ukrainës për të zbuluar informacione kompromentuese për Biden përpara zgjedhjeve të nëntorit. Senati e liroi atë nga akuza shkurtin e kaluar.
Presidenti Trump tha se ai nuk dëshiron më dhunë, ndërsa Biden përgatitet të marrë detyrën por tha se përpjekja e Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët për të ngritur akuza ndaj tij “po shkakton zemërim të jashtëzakonshëm”.