Nga Raimonda Moisiu
Në vitin 1982 situata e krimit ishte përkeqësuar ndjeshëm në Majami. Që nga masakra e Dadeland, në Floridën e Jugut që ndodhi tre vjet më parë, 1979, vrasjet vazhdonin me rivalitet të hapur, ndërsa trafikimi, tregëtia e kokainës dhe pastrimi i parave po lulëzonte. 125 mijë refugjatë kubanë mbërritën në brigjet e Floridës së Jugut. Mijëra prej tyre ishin ish- të burgosur për krime të ndryshme dhe sapo ishin liruar nga burgjet kubane.
Çdo vit vrasjet vendosnin rekord të ri, nga 349 në 1979-ë, në 569 në 1980-ën, dhe 621 në 1981. Zyra e ekzaminimit mjekësor të Dade County u detyrua të shtonte morg-rimorkiator portativ, për të përballuar tejmbushjen me kufoma. Ndërsa konsumimi i lartë i kokainës arriti kulmin. Në të njëjtën kohë paratë e drogës po transportoheshin jashtë vendit dhe pastrimi i parave kishte fituar epërsi përmes bankave të Majamit. Në vitin 1980, në një hetim të kombinuar të Shërbimit Doganor të SHBA.-së, një grua e re kolumbiane u kap në aeroportin e Mjamit duke u përpjekur të kontrabandonte jashtë vendit, 1.5 milion dollarë Cash në gjashtë kuti Monopoli. Ky ka qenë një prej konfiskimeve rekord! Por nuk kaluan veçse tre muaj, policia sekuestroi 1.6 milion dollarë në një aeroplan privat, në aeroportin Opa-Locka, në veri të Majamit, që fluturonte drejt Kolumbisë. Trafikantët depozitonin miliona dollarë në bankat e Majamit, të cilat i transportonin me valixhe, kuti kartoni dhe çanta sportive të tej mbushura me para. Disa agjentë të korruptuar të bankave thjesht mbyllnin sytë dhe nuk raportonin. Hetuesit doganorë vlerësuan se 3.2 miliardë dollarë CASH u raportuan në Florida të Jugut në vitin 1981, u bënë arrestime, por edhe federalët korruptoheshin prej nënkontraktorëve. Ndërsa zotëruesit e vërtetë të drogës qëndronin në hije. Vdekje, vrasje, grabitje, plaçkitje, sasi lekësh dhe fitime marramendëse në qarkullim; banda të dhunshme e të frikësime që ushqenin frikë, dhe frika që kishte vënë në sprovë durimin dhe ngjalli zemërimin e madh të qytetarëve të ndershëm të Miami-t, që i kishte kaluar kufijtë. Një grup intelektualësh dhe drejtues të shoqatave jo qeveritare e shoqërisë civile, i drejtuan, një letër-kërkesë Shtëpisë së Bardhë për ndihmë federale nga qeveria amerikane. Kërkesa e tyre u miratua menjëherë. Më 28 Janar 1982, Presidenti Ronald Reagan bëri të ditur krijimin e Task Force të nivelit të lartë qeveritar për të ndërmarrë një ofensivë hetimore kundër drogës në Floridën e Jugut. Në krye të Task Force, Reagan emëroi, nënpresident George Bush, për ta komanduar atë dhe Operacionin hetimor.
“Gati dy milion njerëz në Floridën e Jugut janë rrënuar nga ana financiare, përveçse u është mohuar edhe e drejta e tyre kushtetuese, të jetojnë në paqe dhe pa frikë, jetë që po u rrezikohet nga dita në ditë, – u shpreh Reagan. Në prill të vitit 1983, ambasadori amerikan Leëis Tambs mbërriti në Kolumbi. Tambs ishte 55-ë vjet, duhanpirës i prapë, personaliteti dhe karakteri i të cilit dukej se bezdisi shumë zyrtarë kolumbianë. Ai vinte nga bota akademike, pati qenë Pedagog i Historisë Latine në Universitetin Shtetëror të Arizonës, i vendosur në luftën kundër komunizmit në Amerikën Latine, dhe një nga konservatorët më besnikë të presidentit republikan të kohës, Reagan-it. Ishte tejet luftarak dhe nuk druhej kurrë të shprehte mendimet dhe opinionin e tij, gjë që irritonte mikpritësit e tij kolumbianë dhe i detyronte vartësit e tij t’i bindeshin e të përuleshin para tij. Tambs ishte i këndshëm, tepër miqësor, i ndjeshëm dhe i kohës, madje në disa intervista mundohej t’u përgjigjej disa pyetjeve të vështira me batuta dhe me sensin e humorit. Presidenti kolumbian, pavarësisht se ishte një oponent i fortë ndaj politikës së Reagan-it në Amerikën Latine, Betancur e pëlqente Tambs dhe Tambs e pëlqente Betancur. Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Amerikane pati vetëm një këshillë për Tambs:
“Ne po ju emërojmë ambasador në Kolumbi, dhe kërkojmë që ju të bëni gjithçka që është e mundur, për të frenuar dhe parandaluar trafikimin e drogës!” Kur ambasadori Tambs mbërriti në Bogota, – sikundër shprehej vetë ai; “Unë do të luaja në harpën time, vetëm dy këngë: ‘Marijuanën dhe marksistët” dhe “kokainë dhe komunizëm”! Por kolumbianët as që donin t’ia dinin, madje ata nuk e llogarisnin drogën si problem për Kolumbinë. Gjithashtu përpjekjet e Tambs rezultuan të pasuksesshme për të përkrahur idenë e tij se trafikantët e drogës dhe guerilasit ishin aletatët që synonin të shkatërronin shoqërinë kolumbiane. Në 6 mujorin e parë të vitit 1983, agjentët e DEA-s, morën informacion se një trafikant droge e marijuanë kishte blerë një ngarkesë vendore nga Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, e udhëhequr nga marksistët, që njihet ndryshe me emërtimin- FARC.
FARC bënte stërvitje në një kamp në pjesën lindore të Llanos, zonë me hapësirë pafund përgjatë Savanës dhe pyjeve tropikale ku ishin ngritur edhe laboratorët e kokainës. Tambs shpiku termin “narko-guerrilas”, për të shpjeguar e përshkruar këtë fenomen, – por publiku kolumbian tallej me të. Për pjesën më të madhe të publikut ishte e pakonceptueshme të mendoje se ideologët marksistë-leninistë ishin aleatë të trafikantëve të drogës. Nga mesi i vitit 1983 dolën tre njerëz të përkushtuar dhe të vendosur për të luftuar e kundërshtuar narkos, të cilët ishin të gatshëm e të ndërgjegjshëm për çdo lloj beteje me Kartelin Medellin. Ata ishin Varret, Phels dhe Ramirez, Sidoqoftë ajo që u mungonte të treve ishte një përfaqësues me peshë politike i aftë për të vendosur narkotikët dhe Kartelin Medellin në qendër të debatit në Kolumbi. Tambs ishte orator dhe energjik, por ai ishte një gringo (i huaj), kurse Ramirez ishte polic, dhe e kishte të ndaluar të bënte deklarata politike. Nëse Kolumbia do të përfshihej në një mësymje të fuqishme kundër Kartelit Medellin, asaj i duhej një politikan kolumbian, i fortë, i mëncur dhe i aftë për të udhëhequr luftën ndaj narkotikëve. Në gusht të vitit 1983 presidenti Betancur, të cilit ligjërisht i takonte të ndante postet e kabinetit qeveritar të opozitës, emëroi senatorin e Partisë Liberale Rodrigo Lara Bonillo, të mbante postin e Ministrit të Drejtësisë. Lara Bonilla ishte 35 vjec, luftarak, karizmatik dhe i hijshëm, konsiderohej një nga yjet në shkëlqim i Partisë Liberale. Atij i binte detyra më e rëndësishme dhe e vështirë për të goditur krimin e organizuar dhe Kartelin Medellin, lidhjet e krimit e të narkotikëve me politikën dhe partitë kryesore politike. Dy nga shënjestrat më të rëndësishme ishin kongresmeni nga Envigado Jairo Ortega dhe zëvendësi i tij, koka e Kartelit Medellin, Pablo Escobar. Si një politikan pragmatist dhe reformator i ndershëm dhe i papërlyer, ai konfiskoi Hot Money (paranë e dyshimtë) që do të ushtronte goditje të fortë ndaj krimit. Lara Bonillo ishte i vetëdijshëm për përfitimet politike, por ajo që nuk arriti të parashikonte ishte forca dhe fuqia e Kartelit Medellin në vitin 1983. Të gjithë e dinin si vitet e fundit Karteli Medellin ecte lirshëm në “korridoret e pushtetit, politikës dhe qeverisë kolumbiane”, packa se të gjithë kujtonin se shteti ishte pafundësisht më i fortë se pushteti i kokainës.
Por kjo ishte një llogaritje e gabuar. Politikanët të korruptuar në instancat e larta deri poshtë në bazë, kishin bashkëpunuar me trafikantët, kishin marrë para prej tyre, dhe hiqeshin sikur nuk e dinin burimin e atyre parave, madje për ta nuk kishte rëndësi fare. Por ata nuk e kuptonin shkallën e ndikimit të Kartelit Medellin i cili nuk përpiqej të përfitonte favore, por po përpiqej të korruptonte një qeveri të tërë. Lara Bonillo, zelli politik reformist endej si një fëmijë në këtë xhunglën leopardëve të drogës.
Më shumë se 200 ligjvënës zbarkuan në Floridën e Jugut, duke përfshirë edhe 130 agjentë doganash, gjashtëdhjetë agjentë të DEA-s dhe 43 agjentë të FBI-së. 45-ë agjentë federalë morën masa të ashpra ndaj përdorimit e përhapjes së armëve automatike, ndërsa agjentët e IRS-s mësynë ndaj bankave që pastronin paratë. Por në korridoret e vërteta të pushtetit federal në Miami, kur dikush mund të vështronte progresin ndaj luftës kundër drogës, pamja ishte ende e zymtë. Zyra e Avokatit të Shtetit, në SHBA-ës u përball me problem serioze në përpjekje për të ndaluar trafikimin e drogës. Zyra trajtoi dhe investigoi CD çështje për gjykim, të paraqitur nga DEA, doganat dhe të gjitha agjensitë ligjzbatuese federale në luftën kundër drogës, punonin vetëm me një staf prej shtatë prokurorësh me kohë të plotë të caktuar për cështjet e hapura. Por asnjëri prej tyre nuk arriti deri të binte në gjurmët e perandorisë së trafikimit të kokainës. Agjentët paguheshin në bazë të sasisë drogës dhe parave të sekuestruara, nxisnin mendësi të cekët duke vendosur mbi tavolinë drogën e sekuestruar, gjatë konfererencave për shtyp. Agjentët pagueshin dhe vlerësoheshin gjithashtu edhe për rëndësinë e trafikantëve të arrestuar-por pjesa më e madhe e trafikantëve ishte në gjendje të trafikonin 100 kg kokainë në muaj. Askush prej tyre nuk ishte shenjestra e DEA-s Vetëm disa agjentë e dinin rëndësinë e Jorge Ochoas dhe Pablo Escobar.
Memorandumi i Kartelit Medellin për Amnisti
Vrasja e Ministrit të Drejtësisë Rodrigo Lara Bonilla, e detyroi Kartelin Medellin të zhvendosej nga Kolumbia në Nikaragua, dhe të qëndronte në arrati. Kjo ndodhi për herë të parë në vitet dhe historinë e ekzistencës së kartelit. Me vrasjen e ministrit, Karteli mdellin jo vetëm kishte njollosur kombin, por kishte sfiduar autoritetin e qeverisë kolumbiane dhe të presidentit Betancur. Asnjë ministër që pati qenë i ulur në kabinetin qeveritar, nuk ishte vrarë më parë në Kolumbi. Para një akti të tillë tronditës, barbar dhe tragjik, presidenti Betancur nuk mundej t’ia lejonte vetes që të heshtëte dhe të mbyllte sytë. Vrasja e Lara Bonillas shënoi momentin më të rëndësishëm në Kolumbi; për herë të parë Qeveria kolumbiane identifikoi Kartelin Medellin, si një organizatë e strukturuar e krimit të organizuar; kriminale, gjakësorë, dhe vrasës të pamëshirshëm që sfidonin dhe dëmtonin integritetin e shtetit kolumbian! Tashmë nuk flitej më për trafikimin e drogës si “Cështje e SHBA-ë”! Qeveria kolumbiane dhe presidenti Betancur i shpalli luftë Kartelit Medellin dhe krimit të organizuar. Nën masa të forta sigurie, gjendjen e emergjencës dhe shtet-rrethim, Betancur deklaroi se: “Të gjthë ata që mbështetin narkomanët e Kartelit Medellin, do të gjykohen direkt nga gjykatat ushtarake dhe nuk do t’iu ofrohej asnjë lehtësi gjykimi me kusht, por do të merrnin dënime të rënda me burg dhe në pamundësi lirimi me kusht”. Policia tashmë kishte pushtet dhe fuqi zbatuese të ligjit për sekuestrimin dhe arrestimin e tyre, madje policia mund të arrestonte dikën qoftë edhe i dyshuar pa ndonjë shkak të mundshëm, vetëm për ta marrë në pyetje. Brenda disa ditësh qindra trafikantë të dyshuar u arrestuan dhe u burgosën. Policia kontrolloi më shumë se njëqind ndërtesa që besohej se ishin në pronësi të kartelit. Aeroplanë, makina, kamionë dhe prona të tjera u sekuestruan në të gjithë vendin. Në Medellin, policia bastisi një nga vilat e Pablo Eskobar, porse mesa duket dikush e kishte lajmëruar dhe Pablo arriti të largohej në kohë, duke i shpëtuar arrestimit. Gjithashtu policia mori nën kontroll Hacienda Los Napoles të Eskobar-it. Shoqatat humanitare të Kolumbisë shpesh ankoheshin se kafshët e kopshtit zoologjik të Eskobar, po ngordhin urie. Qeveria e sekuestroi atë dhe e hapi si atraksion turistik për turistët. Edhe Carlos Rivas Lehder po rrënohej gjithashtu. Stafi i Posada Alemana nuk ishte pagur qëkurse Carlos u arratis në xhungël, pasi Lara Bonilla kishte nënshkruar urdhrin e ekstradimit të tij. Njerëzit e tij, -ndoshta 200 familje, – mbetën të papunë dhe të tjerë po largoheshin masivisht nga puna. Pjesë të tjera të pasurisë dhe pronave të Lehder, po shkatërroheshin nga shirat e rrëmbyeshëm dhe zjarret. Vetëm statuja e John Lennon vazhdonte të rezistonte, si kujtesë e vetme e kohëve të arta, ndërsa pjesa më e madhe anëtarëve të Kartelit Medellin u rezistoi deri në fund masave drastike, duke qëndruar në Panamanë fqinjë. Kryeqyteti i Panamasë, Panama City ishte veçse një orë larg me linjë ajrore nga Medellin, dhe trafikantët ishin mjaft të familjarizuar me të. Për vite me rradhë Panama City pati qenë pikë takimi e referimi për të pastruar paratë e tyre të drogës përmes bankave panameze.
Nën mbrojtjen dhe mbështetjen e Noriegës, Karteli Medellin ndërmori një sërë veprime ambicioze të rimëkëmbjes në dy drejtime. Nga njëra anë, trafikantët menaxhonin një laborator të madh në xhunglën Darien të Panamasë, dhe nga ana tjetër flitej për ngritjen e laboratorëve të tjerë në Nikaragua, me qëllim që të binin në ujdi për trafikimin e një ngarkese 1500 kilogramë kokainë me Barry Seal. Në rast se Kolumbia nuk e pranonte, ata mund të vendoseshin në Nikaragua ose Panama, mbase edhe në ndonjë vend tjetër. Kokainë hynte kudo! Në të njëjtën kohë Karteli Medellin i kërkonte armëpushim qeverisë kolumbiane, me shpresë që të lanin mëkatet e tyre. Përmes një mediatori, Karteli Medellin dërgoi një memorandum prej 6 faqe, Presidentit të Kolumbisë, Belisario Betancur. Trafikantët e cilësuan këtë memorandum dokument tejet të rëndësishëm dhe të jashtëzakonshëm. Ata kërkonin që të rishikohej pozicioni i tyre, -“t’iu jepej edhe njëherë mundësia e rehabilitimit në shoqërinë kolumbiane”. Pjesa e parë e memorandumit përshkruante shkurtimisht trafikun e drogës në Kolumbi dhe pohonte se “karteli ynë sot për sot kontrollon 70%-80% të sasisë së përgjithshme të trafikut të drogës në Kolumbi”, me të ardhura vjetore prej rreth 2 miliardë dollarë. Memorandumi shprehej qartë dhe i sigurtë se “Karteli që ata përfaqësojnë”, nuk kishte asnjë përgjegjësi “direkt apo indidirekt’ në vrasjen e Lara Bonilla-s. Për më tepër, trafikantët mohonin cdo ambicie të tyre për ndryshimin e sistemit demokratik dhe republikan të sistemit presidencial në Kolumbi. Në pjesën e dytë të memorandumit, ata përvijonin me marrëveshjen që trafikantët propozonin; se do të dorëzonin të gjitha pistat ajrore klandestine dhe laboratorët, madje do të çmontonin edhe infrastrukturën e tyre, duke investuar të gjitha paratë në tokën mëmë, me qëllimin e mirë për të investuar në zhvillimin e projekteve dhe zëvendësimin e pyjeve me marijuhanë ata do të bashkëpunonin me qeverinë për çrrënjosjen e konsumit të brendshëm të marijuhanës dhe kokainës, madje do të ndihmonin në rehabilitimin e të varurve prej drogës. Në këmbim ata i kërkonin presidentit Betancur të hiqte gjendjen e emergjencës ndaj tyre dhe të shtet-rrethimit, të binin dakord të mos vihej në zbatim marrëveshja e ekstradimit të tyre, për veprat penale të kryera para datës së këtij memorandumi. Me fjalë të tjera, trafikantët kërkonin amnisti!
Vijon…
Raimonda MOISIU
Author/Freelancer
Jacksonville, Florida USA