Nga Edmira Xhaferi
Mos (Mirënjohje)
A duhet?
Nuk e di këtë…
Në një botë që ecën nxitimthi, po i lë vendin fjalës time për të goditur me shpresën se diçka do të ndryshojë.
A duhet?
Kthej kokën pas dhe e ndjej përkushtimin dhe forcën që më ndjek për të arsimuar një brez, elitën e së ardhmes… e ndjej se përplasen në të shkuarën time lodhja dhe dashuria për të qenë më brenda së gjithës, edukimit dhe dëshirës për ta parë këtë brez të ecë i sigurt në rrugën e jetës, domosdoshmërisë për të prekur të ardhmen plot ngjyra e për t i thëne vetes se vlej.
-Vleni, nxënësit e mi, vleni, se jeni më të mirët,- them me vete dhe ndjej se kam punuar fort për një detyrë që më është ngarkuar me besim, por që e dashuroj në qelizë, e dashuroj fort se e kam timen te gjithën …
Eci dhe besoj fort se e ardhmja do të jetë e fjalës time dhe e nxënësve të mi, e imja në fund të fundit, e emrit tim…
Eci dhe besoj fort se tavolina ime nuk do jetë më e papeshë nga kartolinat apo nga lulet, nuk do jetë më kaq e lehtë nga fjalë dashurie për një punë pafund … besoj fort se mesazhe urimi do më mbulojnë ne telefonin tim, për të më thënë që unë eci e sigurt ne emrin tim dhe në të ardhmen time…
Eci …dhe bashkë me mua ecën e heshtur një armatë e tërë mësuesish që ndihen si unë, pa peshë për punën e tyre dhe pa forcë në fjalën që thonë dhe në dijen që përcjellin.
Nuk dua më ta kthej kokën pas, nuk dua te shoh këtë të shkuar që nuk më përket vetëm mua, por secilit, që për hir të vlerës monetare heshtin, mbulohen nga dështimi i fjalës dhe mendimit të lirë.
A duhet?
Sigurisht që duhet të presim një fjalë të sigurt dhe një mesazh dashamirësie dhe falenderimi për secilin që punon fort në ditën e tij, presim ne fund te fundit respektin që na takon për atë që japim.
E duam, dhe nëse e keni të vështirë të na e jepni, sepse ne vlejmë shumë…
Dhe eci e sigurt në Emrin tim dhe në kohën time, e sigurt se e shkuara flet vetë dhe ndoshta nuk ka nevojë për fjalë.
E dini?
Emri i një mësuesi ecën me hapa të mëdha nëpër tokë …