Lulzim Basha, nga studio e “Opinion” konfirmoi mbrëmjen e kësaj të enjteje se do të jetë kandidat për Kryeministër në zgjedhjet e ardhshme të 25 Prillit. Basha tha se opozita ka matje të qarta në terren që e nxjerrin atë favorit kundrejt Kryeministrit Edi Rama.
“Pa diskutim që kandidati jam unë. Ky është një vendim i shpallur tashmë, një vendim i cili vjen jo thjeshtë e vetëm si vendim politik i koalicionit tonë, por vjen edhe si një shprehje e vullnetit të qytetarëve. Ne kemi tashmë prej më shumë se 8 muajsh matje të qarta në terren që tregojnë jo thjeshtë në kuadrin e koalicionit, por edhe në përballjen me kryeministrin në ikje, që ka një preferencë të qartë, që unë, në detyrën time sot, si kryetar i partisë më të madhe të opozitës dhe nesër si kryeministër, të marr përsipër barrën e qeverisjes së vendit”, tha Basha.
Kryedemokrati tha ndër të tjera se sfida e opozitës është të ndërtojë një projekt të mirë që realizon plotësisht potencialet e vendit për zhvillim, pa pretenduar mrekullinë. Ai shprehu bindjen se me pjesëmarrjen masive të votuesve shqiptarë më 25 Prill do të garantohet jo vetëm ndryshimi i qeverisë, por edhe një kulturë e re politike që ka në themel zgjedhjet e lira dhe demokratike.