Një pëllumb që udhëtoi përtej Oqeanit Paqësor do të vritet pasi shkeli rregullat e ashpra të Australisë për karantinën.
Shpendi thuhet se u zhduk gjatë një gare në shtetin amerikan të Oregonit në fund të tetorit, përpara se të gjendej në Melburn gati dy muaj më vonë.
Zyrtarët thonë se pëllumbi, i quajtur Joe, përbën një “rrezik të drejtpërdrejtë të biosigurisë” për popullatën e shpendëve të Australisë dhe për këtë arsye ai do të kapet dhe do t’i injektohet një dozë vdekjeprurëse.
Një banor i Melburnit, Kevin Celli-Bird tha se ai e gjeti pëllumbin në kopshtin e tij në 26 dhjetor.
“Pëllumbi ishte goxha i dobësuar”, tha ai për agjencinë e lajmeve “Associated Press”.
Disa kërkime në internet bënë që z. Celli-Bird të zbulonte se pëllumbi, i cili është regjistruar te një pronar në Alabama, u pa për herë të fundit gjatë një gare pëllumbash në shtetin perëndimor të SHBA-së në Oregon.
Pasi lajmi për gjetjen e Joe, bëri bujë në Australi, z. Celli-Bird u kontaktua nga zyrtarët e shqetësuar në lidhje me kërcënimin e infeksionit.
“Pavarësisht origjinës së tij, çdo shpend i ardhur që nuk ka përmbushur statusin shëndetësor të importit dhe kërkesat e testimit nuk lejohet të qëndrojë në Australi”, tha një zëdhënës i departamentit të Bujqësisë, Ujit dhe Mjedisit në një deklaratë.
Nuk është e qartë se si shpendi arriti të bënte udhëtimin 8,000 milje nga bregu perëndimor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Australinë e Jugut, por zyrtarët besojnë se ai ka të ngjarë të ketë hyrë në bordin e një anijeje mallrash.
Importimi i ligjshëm i pëllumbave dhe kafshëve të ndryshme në Australi është i mundur, por procesi është i vështirë dhe mund të kushtojë dhjetëra mijëra dollarë, prandaj prej më shumë se një dekade nuk ka pasur asnjë import nga SHBA.
Pëllumbi Joe, nuk është i pari që përballet me telashe nga ligjet e rrepta australiane të importit të kafshëve.
Në vitin 2015, aktorëve Johnny Depp dhe Amber Heard, iu desh të realizonin një video ku kërkonin falje pasi morën me vete në avionin privat në mënyrë të paligjshme qentë e tyre Pistol dhe Boo në Australi.