Presidenti Ilir Meta nga Vlora i është përgjigjur Kryeministrit Edi Rama, lidhur me akuzat e këtij të fundit.
Në një konferencë për mediat, Meta foli për rrugën Vlorë-Orikum dhe u pyet lidhur me akuzat e Ramës se ai ishte në hall dhe sulmet politike i përdorte si kamerdare.
Sot kreu i shtetit tha se ka qenë me fat që nuk ka qenë në Vlorë kur qyteti u përmbyt, pasi as kamerdarja “nuk do i bënte derman”.
“Jam me fat që nuk isha në Vlorë në kohën që ndodhi përmbytja e madhe se as komardarja s’do më bënte derman mua dhe faleminderit Zotit që keni shpëtuar të gjithë ju. Për sa i takon kryeministrit ai sigurisht që do të vinte në Vlorë pasi të dilte dielli”, u shpreh kreu i shtetit.
Pak ditë më parë Edi Rama deklaronte se “Meta është në hall, s’kam asgjë për t’i thënë, është në kërkim të një kamerdareje e kudo ku shef ujë shkon për të gjetur kamerdaren, kështu që nuk e ndihmoj dot, unë atij”.
Përplasja me Ramën për “Lungomare 2”, Meta: Qeveria të financojë rrugën Peshkëpi-Selenicë
Meta ka kërkuar nga qeveria që të financojë rrugën Peshkëpi-Selenicë. Lidhur me projektin e rrugës Orikum-Vlorë që njihet dhe si “Lungomare 2” tha se nuk ka asnjë kundër projektit dhe akuzoi qeverinë dhe Kuvendin se nuk kanë parashikuar asnjë fond për ndërtimin e saj.
“Problemin e tyre madhor për heqjen e financimit të një marrëveshje të vendit tonë me Fondin Saudit, për lotin e 4 të rrugës së Vlorës. Që ishte në interes të Bashkisë së Selenicës. Siç e keni ndjekur dhe një debat të pakuptimtë nisur nga Vlora, nga ana e kryeministrit. Lidhur me një pretendim sikur Presidenti bllokonte një projekt infrastrukturor Vlorë-Orikum”, u shpreh Meta.
Më tej Presidenti shtoi se problemi i banorëve është më se i drejtë. “Anulimi i Peshkëpi-Selenicë. Në kundërshtim jo vetëm me premtimin, marrëveshjen e miratuar, edhe përmbushjen e detyrimeve të Kuvendit e qeverisë, të kemi një heqje të fondeve jo të ndershme dhe jo transparente të këtij projekti. Kemi vënë re nga dokumentacioni, e para nuk qëndron pretendimi se i ka hequr fondet Fondi Saudit. Ato janë hequr me propozim të institucioneve shqiptare”, tha ai.
Po ashtu komentoi dhe deklaratën e deputetit të Vlorës, Vullnet Sinaj, i cili ngriti një pretendim se Presidenti ka pranuar ndryshimin e kësaj marrëveshje.
“E kemi bërë të qartë, Presidenti ka studiuar relacionin e Kuvendit, dhe në relacion ishte i qartë angazhimi i qeverisë se këto fonde hiqeshin pasi do përdoreshin në projekt tjetër. Ndërsa projekti i Selenicës do financohej nga buxheti i shtetit. S’kishim arsye se parlamenti e qeveria po gënjente Presidentin”, tha kreu i shtetit.