Bota Çfarë ndodh nëse Trump nuk largohet Shtëpia e Bardhë?

Çfarë ndodh nëse Trump nuk largohet Shtëpia e Bardhë?

Megjithëse i kundërshtoi ashpër rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit të fituara nga ish-Nënpresidenti Joe Biden, Presidenti Donald Trump planifikon të largohet nga Shtëpia e Bardhë mëngjesin e 20 Janarit.

Ai do të ndjekë gjurmët e secilit prej paraardhësve të tij. Asnjë president në historinë amerikane nuk ka refuzuar të dalë nga rezidenca ekzekutive.

Por çfarë do të ndodhte nëse dikush refuzon?

“Synimi kryesor kur u projektua sistemi ynë ishte që të mos kishim një monark me mandat të pacaktuar. Presidenti ka një mandat katër-vjeçar dhe nëse rizgjidhet, shkëlqyeshëm, por nëse jo, atëherë ikën ”, thotë Brian Kalt, profesor i së drejtës në Kolegjin e Drejtësisë të Universitetit Shtetëror të Miçiganit.

Kushtetuta, ligji suprem i Shteteve të Bashkuara, thotë se presidenti, “e mban detyrën e tij gjatë mandatit prej katër vjetësh”.

“Ndërsa amendamenti i 20-të deklaron se mandati i tij përfundon në mesditën e 20 janarit dhe presidenti i ri bën betimin duke u bërë president në mesditën e 20 janarit,” thotë profesori. “Në mesditë, ky person nuk është më president… ai është një shkelës i ligjit nëse nuk ikën.”

Çfarë do të ndodhte nëse një president refuzonte të largohet nga Shtëpia e Bardhë?

“Pasi do të inaugurohej presidenti i ri, ai do të thërriste Shërbimin Sekret ose ushtrinë për të shoqëruar presidentin e vjetër nga Shtëpia e Bardhë,” thotë historiani Bruce Kuklick. “Dhe kjo nuk ka dyshim.”

Përveç kësaj, uzurpimi i Shtëpisë së Bardhë, nëse ndodh, nuk e bën dikë president.

“Ajo që të bën president është inaugurimi si president i Shteteve të Bashkuara pas një procesi ku vendoset se kush fitoi zgjedhjet”, thotë Kate Masur, profesore e asociuar e historisë në Universitetin Northwestern. “Nuk ka asgjë në Kushtetutë që thotë se nëse je fizikisht në Shtëpinë e Bardhë je president.”

Zyrtarët në të gjithë qeverinë luajnë rol thelbësor për transferimin paqësor të pushtetit. Shumë punonjës federalë, përfshirë ata në ushtri, Shërbimin Sekret dhe FBI, bëjnë betim për të mbrojtur Kushtetutën, që do të thotë njohje e fituesit të votave të Kolegjit Zgjedhor.

“Kushtetuta thotë se ekziston një Kolegj Zgjedhor dhe jep një përshkrim të mënyrës se si zgjidhet një president i ri,” thotë profesore Kate Masur. “Dhe nëse dikush refuzon t’u bindet procedurave në atë pjesë të Kushtetutës që përcakton kornizën për mënyrën se si zgjidhet një president, kjo do të ishte shkelje e betimit.”

Historiani Kuklick thotë është se pesha e kulturës politike dhe e opinionit publik, në vend të fjalëve konkrete të Kushtetutës, që i bëjnë presidentët amerikanë të mos qëndrojnë më shumë se sa janë të mirëpritur.

Kuklick thotë se traditat demokratike si zgjedhjet e lira e të ndershme dhe transferimi paqësor i pushtetit janë pjesë përbërëse e asaj se si amerikanët e shohin veten e tyre. Dhe këto tradita që çmohen shumë nuk mund të braktisen aq lehtë nga amerikanët.

“Nëse je shtetas i SHBA, që nga koha kur ishte në kopsht, ke dëgjuar histori se si funksionojnë Shtetet e Bashkuara dhe për llojin e demokracisë kushtetuese që mishërojnë. Gjatë jetës tënde, i ke parë presidentët kur humbin dhe largohen nga pushteti,” thotë Kuklick.

“Është pikërisht pjesë e madhështisë së këtij sistemi kushtetues dhe njerëzit janë rritur dhe edukuar qysh të vegjël me këtë.”/VOA