Presidenti Donald Trump fali ish-strategun Steve Bannon, në një vendim të minutës së fundit të marrë vetëm disa orë para se ai të planifikohej të largohej nga Shtëpia e Bardhë, për herë të fundit. Njoftimi erdhi vetëm disa orë para inaugurimit të Presidentit të zgjedhur, Joe Biden.
Trump u tha njerëzve se pas shumë diskutimesh, ai kishte vendosur të falte Bannon si një nga aktet e tij të fundit në detyrë.
“Presidenti Trump i dha falje të plotë Stephen Bannon. Prokurorët hetuan Bannon me akuza në lidhje me mashtrimet që buronin nga përfshirja e tij në një projekt politik”, thuhej në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, të lexuar nga Kayleigh McEnany.
“Bannon ka qenë një udhëheqës i rëndësishëm në lëvizjen konservatore dhe është i njohur për mprehtësinë e tij politike”.
Bannon, i cili ishte një këshilltar kryesor i presidentit Trump gjatë fushatës së tij në 2016-n, u akuzua, në gusht të vitit të kaluar, për mashtrim mbi një fushatë mbledhje fondesh për të ndërtuar një mur në kufirin SHBA-Meksikë.
Prokurorët thanë se Bannon dhe tre të tjerë mashtruan qindra mijëra donatorë në lidhje me fushatën “Ne Ndërtojmë Murin” e cila mblodhi 25 milionë dollarë. Është pohuar se Bannon ka marrë më shumë se 1 milion dollarë, të paktën disa prej të cilave i ka përdorur për të mbuluar shpenzimet personale. Ai i mohon akuzat.
Trump gjithashtu dha falje për më shumë se 70 të tjerë në orët e tij të fundit në detyrë. Falje u njoftuan për reperët, Lil Wayne dhe Kodak Black, si dhe për ish-Kryetarin e Detroitit Kwame Kilpatrick.
Është e zakonshme që presidentët në largim të lëshojnë falje para se të largohen nga Shtëpia e Bardhë.