Aktualitet Projekti i OSHEE në Durrës, Balluku: Investimet e mirëstudiuara dhanë rezultat gjatë...

Projekti i OSHEE në Durrës, Balluku: Investimet e mirëstudiuara dhanë rezultat gjatë javës së vështirë të përmbytjeve

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka nisur në qarkun e Durrësit një tjetër investim, i cili ka në fokus përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike. Investimi prek njësinë administrative Manzë dhe përfitues të tij janë afro 10 mijë banorë. Punimet kanë nisur në fillim të këtij vitit dhe pritet të përfundojnë para nisjes së sezonit turistik.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Administratori i OSHEE, Adrian Çela ishin në terren ku ndoqën nga afër punimet, që përfshijnë shtrimin e linjës së re të tensionit të mesëm dhe të ulët, si dhe vendosjen e kabinave të reja.

Për Administratorin e OSHEE ky investim është vazhdim i projekteve, që janë kryer në këtë zone, ku përfshihet edhe ndërtimin e nënstacionit elektrik të Gjirit të Lalzit.

“Përfunduam 3 fiderat e parë në Gjirin e Lalzit vjet, që furnizuan të gjithë zonën bregdetare turistike dhe tani ka filluar puna për këtë fider, i cili furnizon rreth 10 mijë banorë të zonave Manzë, Manza e Re, Manza e Vjetër, Shkallë dhe Armath. Kemi edhe dy fidera të tjerë, të cilët kanë nisur ose janë në procesin e nisjes brenda pak javësh. Njëra furnizon zonën e Ishmit, Shkafanës dhe shkon deri në Kepin e Rodonit dhe i fundit është fideri, i cili mbyll gjithë këtë zonën”, tha Çela.

Ky investim, i cili përfshin shtrimin dhe ndërtimin e 28 kilometrave rrjet i tensionit të mesëm, 79 kilometra tension i ulët si dhe vendosjen e 30 kabinave të reja, pritet të ketë një impakt të madh, duke i ardhur në ndihmë biznesit, i cili operon në këtë zonë.

Duke vlerësuar rëndësinë e këtij investimi në një zonë turistike, por edhe me nisma premtuese në fushën e agrikulturës, ministrja Balluku u shpreh: “Kur sezoni turistik të hapet, i gjithë investimi do jetë i përfunduar dhe zona do jetë e mbuluar me të gjitha elementët që rrjeti shpërndarjes ka, si tension i ulët ashtu dhe tension i mesëm dhe padyshim të gjithë komponentët e këtij rrjeti do jenë funksionalë. Ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë këtë zonë, sepse këtu është jo vetëm një zonë turistike bregdetare, por dhe një zonë ku të gjitha këto pikat e agrikulturës kanë gjetur zhvillim dhe kemi edhe ferma të vogla dhe hoteleri”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë nënvizoi se falë investimeve të realizuara në vitet e fundit në sektorin energjetik u bë i mundur minimizimi i dëmeve, gjatë situatës së reshjeve të dendura të dy javëve më parë. Gjithashtu investimet i përgjigjen jo vetëm nevojës aktuale të zonave, por dhe zhvillimit të tyre në vitet e ardhshme.

“Investimet e mirëstudiuara që ne kemi bërë vitet e fundit dhanë një super rezultat gjatë javës së vështirë të përmbytjeve. Falë këtyre investimeve, të bëra aty ku duhet, me studim dhe me baza të forta edhe për 10-vjeçarin e ardhshëm, ne arritëm të përballojmë si kurrë më parë, qoftë ngarkesën gjatë fundvitit, si asnjëherë pa problematika dhe pa pa avari, por sigurisht edhe ditët që pasuan pas vitit të ri, me të gjitha përmbytjet dhe të gjitha shirat që patëm në shumë zona të vendit”, theksoi Balluku.

Duke ju referuar njoftimeve se edhe fundjava në vazhdim do të jetë e shoqëruar me reshje të dendura në të gjithë territorin e vendit, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë kërkoi nga Operatorit i Shpërndarjes së Energjisë që të vijojnë me gjendjen e gatishmërisë, për të ndërhyrë në çdo situate, në mënyrë që qytetarët të mos kenë ndërprerje të energjisë elektrike.