Kryesore PS do të fitonte zgjedhjet nëse do të mbaheshin sot

PS do të fitonte zgjedhjet nëse do të mbaheshin sot

Nëse zgjedhjet parlamentare të 25 prillit do të zhvilloheshin sot, një sondazh i Euronews Albania në bashkëpunim me kompaninë prestigjioze MRB, zbuloi se 41.8 për qind e shqiptarëve do të votonin Partinë Socialiste.

28.2 për qind do të votonin Partinë Demokratike, 10.3 për qind Lëvizjen Socialiste për Integrim, 1.5 % PDIU-në, ndërsa 2.1% partitë e tjera.

Sondazhi zbuloi se edhe nëse të gjitha partitë opozitare do të bëheshin kundër PS, ato do të merrnin 42.7% të votave, ndërsa për Partia Socialiste do të fitonte 44% të votave. Diferenca mes kampeve është 1.3%.

Thesi i votave që janë të paidentifikuara, që ose nuk e kanë vendosur, ose nuk duan të përgjigjen, është 16.1%. Kjo është një shifër e konsiderueshme për partitë që do të duan të përmirësojnë rezultatin e tyre duke kërkuar vota të tjera. Kjo pasi besnikëria ndaj partive politike kryesore në Shqipëri vazhdon të mbetet e lartë.

Nga të dhënat e sondazhit, baza e këtyre partive që ka votuar për to në vitin 2017, do të votonte sërish në një përqindje të lartë, rreth 90% për PS dhe PD. Votuesit e LSI në 2017, duket se e kanë zbehur besnikërinë katër vite më pas, sepse do ta mbështesnin vetëm në masë 63.2%.

Pjesëmarrja është faktor kyç në përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve. Të pyetur në lidhje me vendosmërinë për të votuar në zgjedhjet e 25 prillit 63.2 % shprehen shumë të sigurtë që do të dalin në votime, 25.4 % të sigurtë, 5% jo të sigurtë, 6 % aspak të sigurtë, ndërsa 0.3% nuk e dinë ose kanë refuzuar të përgjigjen.

Pavarësisht se në cilin kamp do ta hedhin votën, shumica e shqiptarëve të pyetur nga sondazhi mendojnë se zgjedhjet do të fitohen nga PS (49.1%).

Një masë më e vogël prej 29.6% besojnë se do të fitohen nga PD, 10.9% nga LSI ndërsa 9.7% deklarojnë se nuk do të votojnë.

Metodologjia

3 muaj përpara zgjedhjeve, 1600 shqiptarë janë përgjigjur ballë për ballë në një intervistim në shtëpitë e tyre dhe 2000 të tjerë në mënyrë telefonik, se cilat janë shqetësimet e tyre, si e vlerësojnë ata ekonominë, punën e qeverisë apo të opozitës dhe sa vota do të marrin partitë politike, nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë javë. Janë 5 sondazhe në total që do të zhvillohen periodikisht deri në ditën e zgjedhjeve.

Studimi u shtri në 12 zona elektorale, periudha e intervistave ishte 22 dhjetor 2020 -13 janar 2021 ku metodologjia e kampionimit ishte shtresëzim me shumë faza/kampione të rastësishëm. Persona me të drejtë vote, të ndarë në mënyrë të barabartë sipas gjinisë u janë përgjigjur 43 pyetjeve.

Qëllimi i sondazhit është hulumtimi i mendimeve dhe qëndrimeve të qytetarëve shqiptarë për zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Rezultatet e para u prezantuan në emisionin Barometri Politik nën moderimin e gazetares Ilva Tare, ku qenë të pranishëm një panel prej 6 analistësh, si dhe drejtori i kompanisë MRB, z. Dimitri Mavros.