Varianti i ri i koronavirusit që u identifikua për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar mund të jetë më vdekjeprurës se varianti fillestar, ka paralajmëruar kryeministri britanik Boris Johnson.
Në konferencën për shtyp, Boris Johnson u shpreh se: “Ka disa prova që varianti i ri mund të shoqërohet me një shkallë më të lartë të vdekshmërisë. Të gjitha provat e deri tanishme vazhdojnë të tregojnë se vaksinat aktuale mbeten efektive kundër variantit të vjetër të koronavirusit dhe këtij të ri”.
Patrick Vallance, epidemiologu kryesor i qeverisë britanike, u shpreh se provat mbi vdekshmërinë nuk janë ende të forta. Sipas studimeve, varianti i ri i koronavirusit duket të jetë 30% më shumë vdekjeprurës.
Varianti britanik i koronavirusit të ri Covid-19 vazhdon të përhapet në të gjithë botën dhe javën e kaluar ishte i pranishëm në 60 vende dhe territore, ka njoftuar Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Identifikuar së pari në Kent, varianti i ri mendohet të jetë mbi 70% më i transmetueshëm.