Koncerni farmaceutik AstraZeneca i ka pakësuar dukshëm furnizimet me vaksinën kundër koronavirusit në BE. Arsyeja ka të bëjë me problemet në prodhim.
Nëse koncerni britaniko-suedez do të marrë licencën për vaksinën e tij në BE, sasia e furnizimit në fillim do të jetë më e ulët nga sa është parashikuar, tha zëdhënësja e sipërmarrjes. Arsyeja ka të bëjë me rendimentin më të ulët në një nga zonat e prodhimit “brenda rrjetit tonë europian të furnizimit”. Por nuk është planifikuar të ketë vonesa në furnizim. “Ne do të furnizojmë disa milionë ampula gjatë shkurtit dhe marsit në BE”, tha zëdhënësja.
Një përfaqësues i nivelit të lartë të BE-së pak pas kësaj deklarate i dha të dhëna më precize agjencisë së lajmeve Reuters. Sipas tij numri i ampulave në tremujorin e parë të vitit do të jetë rreth 31 milion, afërsisht 60 përqind më pak nga sa ishte planifikuar. Për tremujorin e dytë AstraZeneca nuk ka përmendur ndonjë shifër për numrin e ampulave. Ka qenë e planifikuar, që Astra Zeneca në tremujorin e parë dhe të dytë të furnizonte rreth 80 milionë ampula vaksine në të 27 vendet anëtare të BE-së. Koncerni e argumentoi këtë me vështirësitë e prodhimit në BE në fabrikën e vet, partneren Novasep të AstraZeneca në Belgjikë.
Komisioni i BE-së i pakënaqur
Sipas të dhënave të Komisares së BE-së për Shëndetësinë, Stella Kyriakides sipërmarrja ka njoftuar për vështirësi furnizimi të premten në komisionin drejtues për strategjinë e vaksinimit në BE. Komisioni i BE-së dhe vendet anëtare janë shprehur thellësisht të pakënaqur, që në tremujorin e parë do të furnizohen më pak vaksina nga planifikimi, tha Kyriakides. Është insistuar, që të ketë një plan të saktë furnizimi, mbi bazën e të cilit vendet anëtare të mund të planifikojnë programet e tyre të vaksinimit. Komisioni i BE-së sërish do të insistojë për më shumë garanci furnizimesh dhe për një shpërndarje të përshpejtuar të ampulave.
Fillimisht njoftoi gazeta “Bild” për pakësimin e sasisë së furnizimeve. Sipas kësaj gazete, arsyeja ka pasur të bëjë me përshtatjen e vaksinës ndaj mutacioneve të virusit të konstatuara në disa vende. Po ashtu pasojat ndaj prodhimit pas një zjarri në një fabrikë në Indi janë ende të paqarta.
Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn nuk dekurajohet nga njoftimi i koncernit për pakësimin e furnizimeve. Ai u shpreh me besim, që qysh në shkurt do të mund të nisin vaksinimet në sasi masive me produktin e AstraZeneca. Kjo do të realizohet në nivel të gjerë, duke bërë që “të ndihet dallimi qysh në shkurt” krahasuar me stadin aktual pa AtsraZeneca.
Estonia, Letonia dhe Lituania ndërkohë u bashkuan me kërkesën e disa vendeve të tjera të BE-së për një shpërndarje të parakohshme të vaksinës së prodhuesit AstraZeneca në BE. Kryeministrat e këtyre vendeve apeluan ndaj Komisionit të BE-së, që furnizimet e vaksinës të miratohen dhe të sigurohen përpara licencimit të saj zyrtarisht. Vendet Baltike iu bashkuan kërkesës së Austrisë, Çekisë, Danimarkës dhe Greqisë. “Saktësia e procesit është e rëndësishme. Por edhe shpejtësia. Vonesat kushtojnë jetë”, shkruajnë Jüri Ratas (Estoni), Krisjanis Karins (Letoni) dhe Ingrida Simonyte (Lituani) në Twitter.
Rritet indinjata ndaj Pfizer
Edhe nga furnizuesi tjetër i vaksinës ndaj koronavirusit ka vonesa. Në disa vende të BE-së po shtohet pakënaqësia ndaj vonesave të furnizimit me vaksina nga koncerni i SHBA-së, Pfizer. Një zëdhënës i Komisionit të BE-së tha: “Ne do t’i kërkojmë sipërmarrjes sqarim.” Kritika ndaj partnerit të koncernit në Mainc BioNTech vjen kryesisht nga Italia dhe Çekia. Italia e kërcënon Pfizer madje me hapa juridikë. Prodhuesi nga SHBA, Pfizer, javën e kaluar njoftoi, se do t’i pakësojë furnizimet e veta për tri deri në katër javë. Arsyeja ka të bëjë me rikonstruktimin e fabrikës Pfizer në Puurs të Belgjikës.
Marrëveshja për vaksinën me BE-në është konfidenciale. Secili vend anëtar negocion me Pfizer marrëveshjet e veta të furnizimit. Është e paqartë, nëse koncerni ka detyrim të verë në dispozicion sasi të caktuara mbi bazë javore apo tremujore. Vaksina e AstraZeneca ndryshe nga produktet e firmave konkurrente Pfizer dhe BioNTech si dhe Moderna është e qëndrueshme edhe në temperatura më të larta e kësisoj ajo mund të injektohet edhe prej mjekëve të familjes. AstraZeneca aplikoi javën e kaluar për licencimin në BE, ndërkohë që në shumë shtete të tjera kjo vaksinë tashmë ka nisur të përdoret. Në BE deri tani janë licencuar vetëm vaksinat Pfizer/Biontech dhe Moderna. Më 29 janar Autoriteti i BE-së për Produktet Mjekësore (EMA) mund të japë dritën e gjelbër edhe për vaksinën AstraZeneca./DW