Gjykata Kushtetuese ka zhvilluar këtë të martë seancën e parë pas më shumë se 3 vitesh. Çështja që u shqyrtua ishte një padi lidhur me Procedurën e Kodit Penal nga disa gjyqtarë të Gjykatës së Tiranës.
Në fund, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë vendosur rrëzimin e kërkesës. Po ashtu, në një njoftim për media thuhet se vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore.
“Gjykata Kushtetuese, në datën 26.01.2021, ka marrë në shqyrtim kërkesat me nr.G-11, datë 11.09.2018; G-3, datë 20.03.2019; G-4, datë 14.05.2019; G-1, datë 10.02.2020 dhe G-6, datë 18.09.2020 të Regjistrit Themeltar, me kërkues Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe me objekt: “Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i togfjalëshit “nga gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit”, parashikuar në pikën 1 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale (“KPP”), si dhe i togfjalëshit “… i së njëjtës gjykatë”, parashikuar në pikën 3 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, të ndryshuar me ligjin nr.35/2017.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar me ligjin nr.99/2016”, thuhet në njoftim.
Janë rreth 140 çështje që pritet të shqyrtohen nga gjyqtarët e Kushtetueses, ndër më të rëndësishmet, zgjedhjet lokale të 30 qershorit dhe ligji për shembjen e Teatrit Kombëtar.