Një adoleshent nga Teksasi, Jackson Reffitt, raportoi babanë e tij në FBI për pjesëmarrje në sulmin ndaj ndërtesës së Kongresit.
Babai i tij Guy Reffitt u arrestua më pas për pjesëmarrje në trazirat dhe sipas deklaratave të FBI, 48-vjeçari është i lidhur me grupe ushtarake ekstremiste. Gjatë arrestimit, policia gjeti dy armë në banesën e tij.
FBI e gjeti atë falë pamjeve të trazirave të lëshuara nga Fox News.
Hetuesit kontaktuan 18-vjeçarin Jackson Reffitt, i cili i ndihmoi ata të provonin dyshimet e tyre..
“Tradhtarët pushkatohen!”
FBI tha se i arrestuari Guy Reffitt pasi u kthye nga Uashingtoni dyshohet se kërcënoi fëmijët: “Nëse më raportoni, ju jeni tradhtarë dhe e dini se çfarë ndodh me tradhtarët… Tradhtarët pushkatohen”.
Në ndërkohë, ai akuzohet se ka hyrë ilegalisht në ndërtesën e Kongresit, duke penguar drejtësinë dhe duke kërcënuar anëtarët e familjes.
“I lashë emocionet e mia mënjanë dhe bëra atë që mendoja se ishte e drejtë”, tha Jackson Reffitt për The Times. Ai shtoi se nuk pendohej për vendimin dhe se nuk ishte i sigurt nëse babai i tij e dinte se çfarë kishte ndodhur.
Adoleshenti nuk është më në shtëpinë e familjes, pasi ndodhet në një vend të fshehtë nga frika e sigurisë së tij. Ai pretendon se thjesht donte që të dihej se babai i tij kërcënoi të bënte “diçka të madhe”.
“Nuk e dija se çfarë po planifikonte të bënte, kështu që bëra gjithçka që ishte e mundur për të mbrojtur veten dhe të tjerët”, tha ai.
Ata i dhuruan atij 140 mijë dollarë
Pasi CNN publikoi një intervistë me të, Reffitt tërhoqi shumë vëmendje në Twitter, gjë që rezultoi në një fushatë GoFundMe.
“Unë do të shpenzoj çdo qindarkë në kolegj ose kursime për vitet që vijnë. Mund të më dëbojnë nga shtëpia e familjes për shkak të përfshirjes në një çështje kundër babait tim, çdo qindarkë do të më ndihmojë të mbijetoj”, shkroi ai në platformë.
Në vetëm katër ditë, ai mblodhi pothuajse 140 mijë dollarë nga donacionet.