Me gjasa, 2021 do të jetë viti kur Lionel Messi do të largohet nga Barcelona. Pas tensioneve të verës së kaluar, faktit që nuk e lejuan të largohej dhe e bllokuan me opsionin e një tjetër sezoni në kontratë, ylli argjentinas do të jetë i lirë.
Numri 10 ende nuk është shprehur rreth së ardhmes, por të gjitha spekulimet tregojnë se e ardhmja do të jetë në Paris. Drejtori i përgjithshëm i Paris Saint Germain, Leonardo, ka deklaruar se po i ndjek me vëmendje zhvillimet rreth sulmuesit. Për më tepër, kriza financiare që po përjeton Barcelona, e bëjnë të pamundur rinovimin e kontratës me përmirësim të kushteve financiare.
Në situatën e krijuar, shanset e transferimit të Messi-t në kryeqytetin francez shtohen nga spekulimet se Leo dhe familja e tij po mësojnë frëngjisht. Lajmi është bërë i ditur nga televizioni “Canal +” dhe çdo gjë duket serioze.
Gjashtë herë fituesi i Topit të Artë do të ishte goditja e madhe e Paris Saint Germain, me blerjen që favorizohet nga borxhet e mëdha të Barcelonës, që arrijnë kuotën e 1,2 miliardë eurove.
Me këto probleme financiare, katalanasit nuk duken në gjendje që të bëjnë diçka për ta mbajtur dhe Messi është gati ti thotë lamtumirë klubit ku u rrit dhe që ai kontribuoi ta fuste në histori.