Nga Çapajev Gjokutaj
Para pak ditësh mediat përcollën një lajm periferik: Ismail Kadare kishte takuar një grup lexuesish në Kavajë. Binte në sy një detaj i vogël, por gjithsesi intrigues. Disa e quanin ‘shkrimtari i shquar’, të tjera ‘shkrimtari i …njohur’, të tjera thjesht ‘shkrimtari Ismail Kadare’.
Natyrisht që kjo amplitudë vlerësimesh nuk ka lidhje me Kadarenë; pas gjasash dëshmon formimin e vobektë të disa reporterëve të kulturës. Gjithsesi e ke vështirë të vësh dorën në zjarr e të thuash se nuk është edhe refleks i një fakti grotesk: sot e kësaj dite qendrimet ndaj Kadaresë shtrihen në një amplitudë humnerore, nga idealizimi e hyjnizimi tek denigrimi e mohimi total.
Kjo s’është gjë e re, kështu ka ndodhur në dekada. Kurdoherë vepra dhe personaliteti i Kadaresë kanë ngjallur diskutime dhe janë shoqëruar me qendrime pro dhe kundra. Dukuria është e moçme, por raportet mes simpatizantëve dhe skeptikëve, mes pohuesve dhe mohuesve, kanë ndryshuar gradualisht e me këmbëngulje, gjithnjë në favor të ithtarëve.
Aq e vërtetë është kjo saqë vitet e fundit nuk mungojnë zërat që ndruhen se prirja pohuese, duke shkelur në viset e idealizimit, mund ta kthejë Kadarenë në idhull, por veprën ta zhysë në pezhishkat e harresës.
Prirja për t’u marrë me Kadarenë e për të lënë disi në hije veprën e tij apo për ta thjeshtëzuar atë vetëm në rrafsh politik, është mjaft e fuqishme dhe nxitet nga një varg faktorësh tejet veprues. Nisin këta faktorë me pëlqimin e mediave për njerëz të famshëm, për qasje të lehta, argëtim e intrigë dhe vijnë tek kërshëria jonë masive për politikë e histori.
2.
Ligjërimi i sotëm publik për Kadarenë veç një hapësire përherë e më të gjerë glorifikuese, përmban edhe një vis jetë e mot të trazuar: marrëdhëniet e shkrimtarit me diktaturën.
Në vija kryesore kjo marrdhënie është hulumtuar dhe vështirë se mund t’i shtosh gjë tjetër, përpos detajesh e nuancash. Prej vitesh pranohet përherë e më gjerë fakti se Kadare nuk ka qenë disident, madje në korpusin e veprave të tij nuk mungojnë edhe romane e sidomos poema me qasje favorizuese e glorifikuese për diktaturën dhe diktatorin.
Por pranimi i kësaj të vërtete nuk eklipson dot një fakt tjetër: vepra e Ismail Kadaresë ka shërbyer si një faktor i fuqishëm emancipues për shoqërinë shqiptare nga vitet gjashtëdhjetë e deri më sot, sidomos gjatë periudhës totalitare.
Si çdo letërsi e madhe edhe vepra e Kaderesë ka ndikuar e ndikon jo vetëm me mesazhet që përcjell, por me tërësinë e vet, duke nisur nga përmbajtja e forma, nga teksti e nënteksti e duke ardhur tek leximi a pritja prej publikut.
Kadareja, bashkë me Fatos Arapin, Dritero Agollin dhe breza shkrimtarësh që i pasuan u hapën rrugë rrjedhave moderne në letërsinë tonë, krijuan modele të ikjes nga retorika politike, nga qasjet folklorizante e etnografike, nga skemat, shabllonet etj., për të ardhur tek poezia e metaforës dhe e mendimit, tek proza moderne, konçize dhe e pasur në nëntekst e intertekst.
Në ato vite Ismail Kadareja mbetej idhull për një shumicë të rinjsh që aspironin krijimtarinë letrare dhe, ç’është më e rëndesishmja, i nxiste këta që të kërkonin modernen, novatoren, jetën urbane, vlerat bashkëkohore.
Disa tipare të veprës së Kadaresë vinin në kundërshtim me ideologjinë e kohës, paçka se, për arsye të njohura nuk artikuloheshin verbalisht në tekst. Për ta perceptuar sado përciptas këtë, le të shqyrtojmë kalimthi një element, që përbën madem të çmuar të shtrirë tejembanë korpusit kadarean: prirjen e fuqishme çmitizuese.
Jo një herë, në poezi e në prozë, Kadareja rimerr subjekte e motive të njohura e të trajtuara më parë në mite e legjenda apo edhe në kryevepra të letërsisë botërore. Risjell psh Laokontin, Prometeun, Zeusin, Hamletin, Ledin Makbeth, Doruntinën, legjendën e urës që s’mba, marrëdhënie të eposit të kreshnikeve me epet homerike etj. Dhe këtë e bën për të çmitizuar, për të zbuluar interesa dhe motive të fshehta, krejt të ndryshme nga ato që thonë tekstet origjinare.
Prirja për të mitizuar e çmitizuar ka qenë kurdoherë avëlmend ku janë endur shumë nga visaret e letërsisë botërore, por në një rregjim totalitar kjo merrte edhe një funksion plus: ushqente dyshimin për dogmat zyrtare si dhe nxiste kërshërinë për të gërmuar e gjetur çfarë fshihet poshtë tyre.
Mund të vazhdonim kështu edhe me tipare të tjera të qenësishme të veprës së Kadaresë, tipare që s’janë element dosido por deshmi arti soili. Gershetimi i imazheve lokale me tingëllimin universal psh, aq i hasur në korpusin e Kadaresë, është tipar i gjithë letërsisë jetëgjatë, që i reziston kohës, por merrte edhe ngarkesa të tjera e lexuar në klimën e një shoqërie totalitare dhe të vetizoluar.
Gjëra të ngjashme mund të thoshnim edhe për ambiguitetin dhe shumëkuptimësinë, që aq shumë hasen në veprën e Kadaresë. Është në natyrën e metaforës dhe më tej të artit të madh ta thonë një gjë me një gjë tjetër, ta grishin lexuesin të luaj me domethëniet e nënkuptimet, por në regjimin totalitar të gjitha këto bënin që thuajse çdo vepër e re e Kadaresë të shoqërohej me diskutime masive, me qendrime pro e kundra. Parë kështu krijimtaria e tij ka qenë, në mos shkollë, të paktën kurs pluralizmi e debati, grishje për të parë jo vetëm skenën por edhe prapaskenën e ideologjisë së kohës.
3.
Ambiguiteti dhe shumëkuptimësia e veprës së Kadaresë të shtyjnë drejt një shqetësimi real, që ka nisur të artikulohet në ligjërimin tonë publik dhe që përmbledhtas mund të përcillej: sot dhe në të ardhmen, kur censura totalitare s’ekziston më, kur aludimet e Kadaresë për rendin totalitar lenë e do të lenë indiferent lexuesin e kohës, a do të lexohet vepra e tij me po të njëjten etje e kërshëri si dikur, në vitet e regjimit totalitar?
Përgjigjen kësaj pyetjeje ia ka dhënë dhe po ia jep fakti që Ismail Kadare vazhdon të përkthehet e të botohet në gjuhë te ndryshme si dhe të marrë çmime prestigjioze ndërkombëtare. Vështirë të thuash se vepra e Kadaresë lexohet e përjetohet nga të huajt si dëshmi e qëndrimeve politike të autorit. Madje ky aspekt vështirë se përbën shtysë të qenësishme qoftë për lexuesin e huaj, qoftë për juritë prestigjioze që vazhdojnë ta nominojnë e ta vlerësojnë.
“Arsyeja kryesore dhe më e rëndësishmja pse duhet të lexojmë Ismail Kadarenë është se na shfaqet si rrëfimtar i shkëlqyer. Rrëfen histori të mrekullueshme – dhe rrëfen shumë.” Kështu shkruan tani së fundi shkruante tani së fundi David Bello në revistën “World Literature Today” dhe rendit një varg elementësh që e bëjnë shkrimtarin tonë interesant për lexuesin e huaj. Me një fjalë Kadare lexohet dhe, në të ardhmen ca më shumë do të lexohet si letërsi, jo s’i dokument, si histori dhe aq më pak si politikë.
Nuk është gjë e keqe që diskutohen edhe aspektet politike të veprës, edhe elementë biografikë që lidhen me raportet mes tij dhe diktaturës. E keqja nxjerr krye kur diskutimet e këtyre aspekteve absolutizohen dhe lenë në hije vlerat e qenësishme të krijimtarisë, ato që lidhen me ashtin e veprës së tij, me dimensionin human, kombëtar e universal.
Për më shumë se shtatëdhjetë vjet Kadare me një punë këmbëngulëse e talent të rrallë lëroi arat e shqipes dhe krijoi një korpus letrar me vlera të paçmueshme. Tani është në dorën tonë dhe të atyre që do të vijnë që të zgjedhim në se këto visare do t’i qarkullojmë dhe riprodhojmë, apo do i mbyllim në muze dhe do vazhdojmë sherret provinciale me politikë e histori.
Kjo alternativa e dytë apo, thënë më qartë, rreziku për t’u marrë me autorin e për të lenë në hije veprën, bëhet edhe më vepruese nga që mediat e sotme, të lektisura pas audiencës dhe klikimeve, kanë prirjen t’u ikin vlerave dhe gjithçka ta kthejnë në argëtim, intrigë e kërshëri. Me një fjalë ekziston rreziku që ligjërimi ynë publik t’u ik vlerave që ka krijuar Shkrimtari dhe të merret me biografinë e tij, t’u ik visareve që ka sjellë Kadareja dhe të merret me “kalcunjat e Ismailit”.
P.S.
Tek “Ftesë në studio” gjendet edhe një detaj biografik plot humor e qesëndi: “Kur në moshën dymbëdhjetëvjeçare botova vjershat e para, nisa të dëgjoj përherë e më shpesh komentet e shoqeve të gjyshes: do të bëhet i dëgjuar si Ismail Kadareja. Kështu quhej stërgjyshi im, i cili paskësh qenë i dëgjuar në Gjirokastër për… kalcunjat (lloj çorapesh) e bukura që mbante. Me fjalë të tjera, për ndjekjen e modës. Paskëshin qenë kaq të bukura kalcunjat e tij, saqë në një këngë të njohur gjirokastrite, ku këngëtari rendiste gjërat që mund ta bënin të lumtur një njeri, krahas “sarajeve të vezirit”, “kopshtit të Çelo Kailit”, “nuseve të Dane Bakirit” dhe “zërit të bilbilit”, ishin dhe “kalcunjat e Ismailit”. Kështu që më pëlqente ose jo, ideja e famës iu shfaq së pari ndërgjegjes sime në formë çorapesh të bukura.”
“Në vitet studenteske, sidomos në ato të Moskës, – vazhdon autori, – kur pasioni për letërsinë m’u zbeh ca kohë, për shkak të ndjekjes së modës, disa herë më janë kujtuar kalcunjat e stërgjyshit. Me sa dukej, fama u mëdysh në fisin tonë midis sqimës në të veshur dhe letrave, dhe turbullira ime moskovite s’qe veç një shenjë e fundit që më dërgonte im stërgjysh për të më mbushur mendjen se lavdia më e sigurt ishte ajo e tij.”