Periudhë pozitive për Apple, të ardhurat e së cilës u rritën në të gjithë botën dhe në mënyrë të veçantë në Kinë. Diferencën e ka bërë modeli i ri, iPhone 12, pavarësisht se u prezantua disa javë më vonë për shkak të pandemisë, ecuria e shitjeve ishte menjëherë pozitive.
Dërgesat e smartphone-ve të Apple u rritën me 22%, nivele rekord në tremujorin e katërt, duke e bërë shitësin më të madh në botë, ndërkohë që ato të Huawei ranë, për shkak të hyrjes në fuqi të sanksioneve amerikane. Një numër më i madh modelesh dhe pamja e re për linjën e iPhone 12, pajisjet e para me 5G të Apple, rritën kërkesën për azhurnime, veçanërisht në Kinë. Dërgesat arritën në 90.1 milionë telefona, një rekord për thuajse çdo tremujor, duke zënë 23.4% të tregut global, treguan të dhënat nga firma kërkimore IDC.
Siç ndodh shpesh në tremujorin e katërt, kur Apple prezanton produktet e reja, kompania rifitoi vendin e parë, ku qëndronte Samsung Electronics. Rritja e kompanisë koreanojugore ishte 6.2% me bazë vjetore, në 73.9 milionë njësi, duke zënë 19.1% të tregut.
Huawei Technologies Co Ltd pësoi goditjen më të fortë me rënien e shitjeve në 42.4%, në 32.3 milionë njësi. Sipas IDC, Huawei renditet në vend të pestë, krahasuar me vendin e dytë vetëm dy tremujorë më parë. Ndërsa shoqëritë e kërkimit Counterpoint e Canalys, të cilat publikuan të dhënat të enjten, e renditën Huawei në vend të gjashtë, duke shënuar herën e parë ndër vite që Huawei del nga pesë vendet e para në klasifikimet e tyre.
Ndërsa për Xiaomi Corp, shitësi i tretë, dërgesat u rritën me 32%, ndërsa dërgesat e Oppo, në vend të katërt, u rritën me 10.7%, sipas IDC.
Apple thyen një rekord të ri të rëndësishëm – sot janë më shumë se 1 miliard iPhone aktivë në botë. Një shifër që disa vite më parë, vështirë se mund të imagjinohej, e arritur falë dy modeleve të suksesshme: iPhone SE 2 në gjysmën e parë të 2020 dhe iPhone 12 në gjysmën e dytë. Falë këtyre shifrave, Apple kapërcen sërish Amazon në lidhje me kapitalizimin e tregut dhe tani vlen 263.4 miliardë dollarë krahasuar me 254.2 miliardë të Amazon.
1 miliard iPhone
Shifra prej më shumë se 1 miliard iPhone aktualisht aktivë në botë është llogaritur në fund të 2020-s. Bëhet fjalë për një rritje më shumë se 10% krahasuar me 900 milionë në janar të 2019-s. Pjesa më e madhe e kësaj rritje ka ndodhur në tregun kinez (duke përfshirë Hong Kongun dhe Tajvanin): +57% në një vit.
“Kemi dy nga tre smartphone-t më të shitur në Kinën qendrore” komentoi CEO i Apple, Tim Cook për Reuters, duke shtuar se Kina ka filluar të bëhet një treg besnik duke qenë se shumë kinezë në 2020, blenë një iPhone të ri.