Kulturë ZANA E KROJEVE

ZANA E KROJEVE

Ndue Lazri

(Vajza që vrau pashanë turk)

Tregim nga Ndue Lazri

Hanëm Avna doli e zemëruar nga çadra e pashait. Kishte disa netë që Vuçi Pasha nuk i bënte vizitë në çadrën e saj ngjyrë trëndafili ngritur në një cep të kampit ushtarak dhe që ruhej natë e ditë nga dy eunukë të armatosur. Në fillim ajo e kishte justifikuar me angazhimet e telashet e mëdha që i kishte sjellë kryekomandantit turk kjo fushatë kundër shqiptarëve. Por, pasi kaluan disa ditë, ajo nuk arrinte ta përfytyronte natyrën e etur të pashait larg zjarrit që përhapte e gjithë qenia e saj në atë ambient prej haremi që hanëm Avna e kishte përgatitur posaçërisht për netë të veçanta në krahët e pashait. Në fakt ajo e kishte emrin Stefanka dhe pashai e kishte blerë në një shtëpi qejfi në Bullgari,përgjatë rrugës për në Shqipëri. Vetë sulltani e kishte porositur që të mos merrte me vete femra, pasi në një fushatë si kjo kundër arnautëve çengitë ishin një luks që nuk mund t’ia lejonin vetes. Por Vuçi Pasha, më lehtë mund ta përfytyronte veten pa armë se pa femra rreth vetes. Pas natës së parë me të në Bullgari, pashai i tha që emri i saj do të ishte hanëm Avna, emër që në turqisht kishte kuptimin krenare dhe e fuqishme.

Pasi kaluan disa netë që pashai nuk po bëhej i gjallë, një mbrëmje ajo mori kurajon dhe i vajti në çadër, me gjithë kundërshtimin jo fort të vendosur të rojes në hyrje të tendës. Vuçi Pasha u habit kur e pa dhe në fillim nga zemërimi iu drodh mjekra e prerë spic, por nuk foli. E ftoi të ulej në një nga minderet e mbuluar me shilte të buta dhe i bëri zë shërbyesit që t’i sillte një çaj. Hanëm Avna nuk e preku çajin. Priti që ai t’i drejtohej me ato fjalët e ëmbla si shurup trëndafili që përdorte kur i vinte në çadër, por pashai ishte disi i zymtë dhe i menduar.

-Kishe ndonjë nevojë, hanëm Avna? – iu drejtua pas pak.

-Mbase po më ngatërroni me ndonjë komandant të garnizonit tuaj, pashai im. Unë jam Avna dhe kam nevojë thjeshtë për praninë dhe përkëdheljet tuaja, që ju i keni harruar kohët e fundit,-i tha ajo teksa një tufëz flokësh të zinj i kërceu mbi ballin e hijshëm.

Të kishte qenë ndonjë çengi tjetër Vuçi Pasha do ia kishte prerë gjuhën në vend. Por kjo bullgare seç kishte një karakter që as ai vetë nuk e kuptonte. Kishte momente kur donte t’ia priste kokën me shpatë, por në vend që të nxirrte shpatën nga këllëfi, e rrëmbente në krahët e tij dhe e shfrynte zemërimin në jatakun e butë.

Një shfryrje të tillë zemërimi priti hanëm Avna edhe këtë mbrëmje. Por Vuçi Pasha i ngjante një reje të zymtë që rrekej të zbrazej në gjyma shiu dhe zhdavaritej ngadalë si e trembur nga majat e maleve përreth.

Pasi e pa këtë gjendje, hanëm Avna doli rrëmbimthi nga çadra pa thënë asnjë fjalë. Ishte e fyer në feminilitetin e saj.Tek e pa të dilte ashtu, pashai tha me vete: “Gëlë seven dikenine katlanir” (Kush do trëndafilin do durojë edhe gjembat)… Hanëm Avna u vërtit një copë herë mes çadrash nëpër kampin turk. Për hakmarrje donte të ftonte në çadër komandantin e xhenierëve, një oficer i bukur që i kishte lënë të kuptonte se e pëlqente, por nuk guxonte të afrohej për shkak të eunukëve besnikë të pashait. Papritur i vajtën sytë tek çadra ku shkruhej “Heqim”. Ajo u kujtua që mjeku ishte i vetmi që mund të hynte në çadrën e saj. Ishte edhe burrë i hijshëm. I tha ushtarit tek hyrja t’i komunikonte mjekut që hanëm Avna ishte pa qejf dhe kishte nevojë për vizitën e tij. Pastaj u drejtua për tek çadra e saj duke kujtuar fjalët që vetë pashai ia kishte mësuar në turqisht “her gënulde bir aslan yatar” (në çdo zemër ekziston një luan”). Madje një luaneshë, tha ajo me vete tek ulej mbi krevatin e saj në çadrën e vetmuar.

* * *

Në mëngjes, mjegulla që u ngrit Zallit të Bruzit në Kelmend, i braktisi shpejt brigjet dhe u ngjit shpateve të bjeshkëve. Si përmes një perdeje të shqyer, dukej Forca e Kelmendit, e cila i ngjante një anijeje të stërmadhe që qëndronte e paepur përmbi ujra dhe mjegulla. Komandanti turk, Vuçi Pasha hapi pak një kind të çadrës së tij të madhe dhe vështroi përreth. Ushtarët dhe oficerët e tij sapo ishin ngritur dhe po merreshin me pastrimin e mëngjesit, duke përfituar nga ujrat e lumit që ishin shtuar me afrimin e vjeshtës. Çadrat e tyre ishin përhapur në rreshta të rregullt përgjatë zallit në të dy anët e lumit. Ndërsa çadra e tij e madhe në ngjyrë mjalti ndodhej diku në mes dhe spikaste për komfortin me të cilin e rrethonte veten pashai.

-Hyri vjeshta dhe pas pak këtu do të trokasë dimri,-tha me vete pashai turk.-Por ardhja e dimrit të egër do të thotë që këto bjeshkë të bëhen varri i ushtrisë sime. Nuk iki prej këtej pa i shkatërruar këta xhindër të Kelmendit, që guxojnë t’i presin hovin armatës sime prej 30 mijë luftëtarësh.

Pas këtyre fjalëve syri i tij u ndal tek ajo copë tokë që quhej Forca e Kelmendit. Aty ishin ngujuar pjesa më e madhe e popullsisë kelmendase për t’i bërë ballë rrethimit turk. Ishte një fortesë e madhe natyrore, me shpatet thikë nga të gjitha anët, nga ku mund të ngjiteshin vetëm shqiponjat. Veç një monopat i ngushtë çonte tek hyrja e kësaj fortese, por edhe ai ishte ndërprerë nga ura të cilët kështjellarët e kishin ngritur, siç ndodhte me urat hyrëse të kështjellave. Tek e shikonte, pashait iu errësuan sytë dhe një damar i kërceu mbi ballë. I dukej një poshtërim i madh që në atë rrethim të gjatë nuk po arrinte t’i bënte të dorëzoheshin. Gjatë ditëve të nxehta të verës, kur lumi malor i Bruzit ishte tharë tërësisht, ai kishte shpresuar që malësorët të dorëzoheshin nga etja. Por ditët kalonin e asgjë nuk po ndodhte. Ai çoi xhenierët dhe specialistët e tij të bënin një inspektim rreth e rreth fortesës për të zbuluar ku i kishin ujësjellësit, që të derdhte në to helmin e t’i jepte fund kësaj fushate që po ia trondiste lavdinë. Por ata nuk zbuluan asnjë ujësjellës. Në fakt natyra e kishte pajisur Forcën e Kelmendit me burime e puse të brendshme dhe uji i pijshëm nuk mungonte asnjë herë. Mbetej vetëm të shpresonte në mbarimin e rezervave ushqimore, pasi ai i kishte mbyllur të gjitha shtigjet që mund të komunikonin me atë copë toke që ishte shndërruar në fortesë të papushtueshme. I largoi sytë prej andej dhe u kthye sërish brenda në çadër, u ul tek minderi i butë në qoshe dhe mori pranë vetes nargjilenë. I ishte bërë zakon që nën avujt e saj t’i shtjellonte më mirë mendimet përpara se të thërriste komandantët për t’u dhënë detyrat e ditës. Iu kujtua ikja e hanëm Avnasë natën e mëparshme. Fërkoi mengadalë mjekrën e lëmuar dhe zemërimi iu shtua edhe më shumë kur kujtoi që fermani i tij dërguar kështjellarëve nuk kishte patur asnjë përgjigje. Ai kishte kërkuar që ata t’i çonin në kamp një virgjëreshë të bukur. Vetëm për një natë.Pastaj do ta hiqte rrethimin. E në pritje të virgjëreshës shqiptare e kishte mbajtur larg çenginë bullgare.

* * *

Burrat ishin mbledhur në kuvend brenda Forcës së Kelmendit. Kishte edhe djem të rinj, që kishin zënë vendin e baballarëve të rënë në luftën kundër turkut. Gratë zakonisht rrinin larg e merreshin me punët që u takonin grave. Malësorët kishin muaj që po i qëndronin rrethimit të Vuçi Pashës. Të mbyllur në kështjellën e tyre natyrore, ata kishin qëndruar falë ujit të pusave që nuk mbaronte kurrë dhe rezervave ushqimore që kishin futur në fortesë që përpara se ta ngrinin urën dhe të ndërprisnin çdo shteg lidhës me pjesën tjetër të Kelmendit. Nga Selca, Lëpusha, Vermoshi, Tamarja nuk mund të vinte më askush, sepse të gjitha shtigjet i kishte zënë turku, ashtu siç kishte zënë edhe gjithë burimet e ujit, si një kuçedër me shumë krerë. Malësorët e mbetur jashtë rrethimit për të çuar përpara jetën e punët e zonës, ato pak ushqime që u kishin mbetur, i kishin fshehur nëpër shpella që të mos binin në dorë të turqve. Askush nuk mund të afrohej tek fortesa ku ishin ngujuar burra e gra që i dilnin zot Kelmendit.

-Më ngushtë se sot nuk kemi qenë asnjëherë, or burra,-foli Prenush Cali, që shquhej për trimëri e urti dhe malësorët e kishin zgjedhur si prijës të tyre. -Para një jave, fermanit të sulltanit për t’u dorëzuar, ne iu përgjigjëm me të shtëna topash. Tek disa topa, në vend të gjyleve prej guri futëm misër e grurë dhe e hodhëm në kampin armik, për të treguar që kemi rezerva ushqimore me bollëk e nuk dorëzohemi. Por të gjithë e dimë se rezervat tona po i afrohen fundit. E shikojmë çdo ditë që furrat e bukës ndizen rrallë e më rrallë dhe grave u kanë ngrirë duart në magje. Në votrat gjithnjë e më pak kusia vihen në zjarr për të gatuar. E shirat e vjeshtës po vonojnë që ta detyronin armikun të shporrej.

-Ne e kemi lidhur besën tonë. Të gjallë nuk biem në dorë të armikut,-foli dikush nga burrat e radhëve të para. Të tjerët ngritën shpatat e armët në miratim të kësaj fjale.

-Vuçi Pasha na ka dërguar edhe një ferman tjetër, për të na poshtëruar. Kërkon një vashë malësore në shkëmbim të heqjes së rrethimit. Deri më sot nuk i jemi përgjigjur provokimit të tij,-tha Prenush Cali.

Fytyrat e malësorëve u nxinë dhe sytë e tyre flakëruan si maja e shpatës kur e prek dielli.

-Vashat tona ne i rrisim për kreshnikët tanë e jo për pashallarët turq, -foli një burrë i vjetër nga fisi i Marnaçajve.

-Shkruani Vuçi Pashës se vashat tona hidhen nga shkëmbi e nuk bëhen çengi të turqve,-foli një trim nga Selca.

Atmosfera ishte ndezur keq. Fytyrat e malësorëve i ngjanin motit të egërsuar. Diskutonin me zjarr duke e mbajtur gjithnjë dorën tek armët, a thua se Vuçi Pasha do të ndodhej papritur përpara kuvendit të tyre. Të rinjtë merrnin zjarr më shpejt, më të vjetrit kishin rrudhur ballet, ku rrudhat kreshpëroheshin si vargjet e maleve që rrethonin Forcën e Kelmendit.

Askush nuk e kishte vënë re një vajzë që heshturazi çau radhët e burrave dhe u ndal papritur përpara atij që drejtonte kuvendin. Vetëm atëherë burrat e panë dhe një heshtje varri ra në kuvend. Si kishte guxuar kjo vajzë të vinte në kuvendin e burrave?

Ishte Nora. Vajza më e bukur e bjeshkëve të Kelmendit. Trime dhe e ndershme si ajo. Çdo kullë malësore do ta ëndërronte si nuse shtëpie. Kur shkonte tek krojet për të mbushur ujë, hijeshia e saj errësonte edhe bukurinë e lëndinave, gurgullimën e ujrave, blerimin e lisave, ngjyrat e luleve, këngën e zogjve, zukamën e bletëve që mblidhnin nektarin për mjaltë. Ishte si një zanë mali. Madje prej kohësh thuajse të gjithë e kishin harruar emrin e saj Nora dhe e thërrisnin Zana e Krojeve. Si ishte e mundur që pikërisht ajo ia kishte behur këtu mes kuvendit të burrave?

Vajza u hodhi një vështrim burrave rreth e rreth pastaj i ndali sytë tek kreu i kuvendit.

-Më dërgoni mua, Prenush Cali.-Do të di t’ia jap përgjigjen Vuçi Pashës.

Një mërmërimë si gjëmë moti u ndje mes burrave. Nga radha e tyre dolën babai dhe vëllai i vajzës. Vëllai dorën tek shpata, gati për t’ia hequr atë minutë qafën së motrës. Babai e vuri dorën mbi shpatën e të birit dhe pa përreth burrat e katundit. Ata e ulën kokën si për të mos e parë peshën e turpit që ndjente mbi vete babai i vajzës.

-A t’i ka hangër ujku mendtë, moj qyqare? A e mendon turpin që po i hedh kullës e fshatit tonë me këto që po thua?-foli i ati.

Vajza e pa drejt në sy. Iu dhimbs pamja e mpakur e të atit, që dukej sikur në atë çast ishte rrëgjuar si të kishin kaluar befas disa vite më shumë mbi supet e tij. Pastaj u hodhi një vështrim gjithë burrave dhe duke e humbur vështrimin disi përtej tyre foli:

-Trima, baballarë e vëllezër. Nuk jam një e përdalë që kam ardhur të cënoj nderin tuaj e të maleve tona. E kam menduar gjatë përpara se të vija në rrezik jetën përpara armëve tuaja. Vuçi Pasha me atë ferman nuk iu ka poshtëruar vetëm ju që po e sfidoni prej disa muajsh duke i qëndruar rrethimit të tij. Përpara së gjithash ai na ka ulur ne, vajzat e Kelmendit, që dimë ta ruajmë nderin tonë më të pastër se ujët e gurrave dhe burimeve të këtyre bjeshkëve. Unë jam vetëm njëra nga vajzat dhe motrat tuaja. Secila prej tyre do ta kishte bërë këtë hap që po bëj unë në përgjigje të Vuçi Pashës. Nuk jam asgjë më shumë se ato. Po unë e mora guximin e para.

Vëllai e hoqi shpatën nga këllëfi dhe e ngriti lart. Babai u fut midis tij dhe vajzës.

-Nuk kam vdekur unë, që të flasësh apo qëllosh ti përpara meje,- iu drejtua të birit. Pastaj iu afrua së bijës, ndërsa kuvendi kishte ngrirë. Dukej sikur askush nuk merrte frymë.

-Pa më thuaj, si ta ka marrë mendja të hysh e vetme në kampin turk e të shkosh tek Vuçi Pasha që kërkon të turpërojë një vashë malësore?

-Baba. Mos u ligështo. Nora jote përpara vdes se të turpërojë ty, sofrën tonë, malësinë tonë. Vuçi Pasha nuk do më prekë me dorë për së gjalli. Lermë të shkoj. Ta jap besën që do të shkoj e do të vij e paprekur nga Vuçi Pasha.

Burrat e kuvendit filluan të mërmërisnin akoma. Askush nuk po ishte i zoti të nxirrte një fjalë të plotë. Por nga sytë e tyre filluan të largohen retë e zeza e një rreze dielli dukej sikur dilte prej tyre e binte mbi fytyrën e vajzës. Bukuria e saj tani i ngjante një shtatoreje të lartë që ishte gati të bënte garë me bukurinë e maleve. Ia njihnin bukurinë, por nuk ja paskëshin njohur guximin dhe trimërinë.

Babai i saj e ngriti ngadalë kokën dhe iu drejtua kuvendit:

-Burra! Familjes sime i ra ky short, a ky turp, nuk di si ta quaj. Ju jeni bashkëfshatarët e mi e vëllezërit e mi. Ma thoni një fjalë që të ngushëllohem.

Mes heshtjes së përgjithshme, pranë vajzës u afrua Prenush Cali. Vështroi gjatë vajzën,pastaj tërë burrat e kuvendit dhe iu drejtua të atit të vajzës:

-Nuk ka vdekur kush që të ketë vend për ngushëllim. Nora nuk është vetëm vajza jote, por është vajza jonë, motra jonë. Unë i besoj fjalës së saj, besës së saj. A nuk e kemi quajtur të gjithë ne me emrin Zana e Krojeve? E pra zanat kanë ditur gjithmonë ta gjejnë një zgjidhje, që ne njerëzit e zakonshëm nuk dimë ta gjejmë. Si thoni, burra? A t’ia japim bekimin Zanës sonë?

Gjendja e nderë vazhdoi edhe për pak çaste. Vëllai i Norës me kokën ulur u largua nga kuvendi. Babai i mbetur pranë vajzës herë vështronte përdhe e herë nga burrat e kuvendit si përpara një gjyqi që do të jepte një vendim që nuk ishte dëgjuar kurrë në historinë e këtyre maleve.

-Vajza jonë e meriton besimin tonë,burra,-foli më plaku midis tyre. Dhe shkoi e i vuri dorën në sup Norës. Pas tij një nga një u afruan burrat e tjerë të kuvendit. Pesha e duarve të tyre bëhej gjithnjë e më e rëndë mbi supet e vajzës. Kur ishin afruar të gjithë Nora ndjeu sikur kishte mbi sup peshën e maleve të Kelmendit. Ishte një besë e pandodhur ndonjëherë. Një besë midis një vajze e burrave të zonës, midis një vajze e maleve që e kishin rritur.

* * *

Rojet e ulën urën që lidhte Forcën e Kelmendit me pjesën tjetër të territorit. Burra e gra ishin mbledhur në qendër, aty ku bëheshin kuvendet. Po përcillnin Norën për në kampin turk. Në shekuj Kelmendi kishte nxjerrë nuse nga kullat e tij. Po asnjëherë, asnjë nuse nuk e kishte patur nurin e bukurisë që i kishte rënë në ato momente Zanës së Krojeve. Gjithë stolitë e bjeshkëve ishin derdhur hijshëm në shtatin e saj. Ajo i përshëndeti me një vështrim të ëmbël të gjithë. Nuk kishte frikë në atë vështrim. Dukej sikur prej syve të saj dilte një dritë që vështronte përtej tyre, përtej bjeshkëve, përtej vargmaleve. Ktheu supet ngadalë e u nis drej urës që e nxirrte nga fortesa. Tek pusi i fundit para daljes, aty ku kishte mbushur ujë sa e sa herë, qëndronte në këmbë Nika. Më i bukuri e më trimi i gjithë zonës. Ai ia kishte prerë disa herë rrugën kur shkonte për të mbushur ujë, por nuk i kishte thënë kurrë asnjë fjalë. Vetëm sytë e tij dukej sikur i thonin që ajo do të ishte e tija. Ata sy zhbironin si shigjeta nën vetullat që i ngjanin dy harqeve prej rrufeje. Tek i kaloi pranë, Zana e Krojeve i hodhi një vështrim. Ai ishte i zbehtë si portreti i vdekjes. Zana u tremb. Hodhi edhe një hap ndërsa nga pas dëgjoi fjalët e Nikës: Po të ndodhi gjë, sytë e mi do të fiken në fundin e këtij pusi.

Tek kampi turk pati njëfarë lëvizjeje kur panë që ura e Forcës së Kelmendit ishte ulur. Vuçi Pasha doli nga çadra dhe vuri dorën mbi ballë si për të parë më mirë. Mos duan të na sulmojnë tani në muzg këta arnautë të çmendur, pyeti veten nën zë. Por nga ura doli vetëm një njeri. Nga lëvizja delikate duhej të ishte femër. As kuaj, as karro lufte, as njerëz të tjerë të armatosur. Ura u ngrit sërish pas shpatullave të asaj femre.

Vuçi Pasha diçka parandjeu. Me sa duket kjo ishte përgjigja e fermanit të tij. Dërgoi njërin nga të tijtë t’u thoshte rojeve që ta linin të kalonte femrën që po vinte në kamp. Dhe u fut brenda për t’u përgatitur.

* * *

Një dritë e pazakontë në hyrje të çadrës ia lëbyri sytë Vuçi Pashës. Për një çast mendoi se ishte drita e argjendtë e hënës, por asnjë mbrëmje hëna nuk kishte hedhur rreze në çadrën e tij. Drejtoi shtatin dhe mbeti i shtangur. Çfarë ishte kjo qënie përpara tij? Mos kishte dalë nga legjendat e çuditshme të këtij vendi të mallkuar? Nga rridhnin gjithë ky hir e kjo bukuri që ai nuk e kishte parë në asnjë skaj të perandorisë? Përpara tij ishte një vajzë shqiptare. Virgjëresha që kishte kërkuar me fermanin e tij. Tek e shihte mendoi se kurrë nuk kishte firmosur ndonjë ferman më fatsjellës se ky.

Vajza rrinte në këmbë përpara tij. Nuk e ulte vështrimin siç bënin zakonisht çengitë kur hynin në çadrën e tij. E vështronte me ngulm si t’i thoshte: Më kërkove? Ja ku më ke, pasha i perandorisë së madhe.Unë jam një vajzë e padëgjuar e maleve shqiptare…

Pashaj ishte i hutuar. Bëri një sjellje të pazakontë duke iu përkulur bukurisë së saj dhe duke e ftuar të ulej në minder. Pastaj sytë e tij u ndalën në fytyrën e freskët, nuk guxoi të ndalej në sytë e saj sfidues, e zbriti vështrimin në gjinjtë e saj që u ngjanin frutave të paprekura nga askush, në ijet e saj që lakoheshin me naze drejt këmbëve ndjellëse ndonëse vetëm sa ravijëzoheshin lehtë nën veshjet e saj me hijeshi të pashoqe. Tamam virgjëreshë, siç e kam kërkuar, mendoi me vete Vuçi Pasha dhe ndjeu t’i ndizej gjaku në damarë. Kishte mbaruar mahnitja e çasteve të para dhe tani po zgjoheshin epshet që ia errësonin sytë dhe arsyen. Kështu i ndodhte gjithmonë kur ishte në praninë e femrave. Kjo virgjëreshë e freskët shqiptare ia dalldiste edhe më keq arsyen dhe nuk po i pritej që ta kishte në krahë.

U ul përkrah saj në minder dhe iu afrua aq sa mund ta prekte për ta përkëdhelur. Ia vuri duart në supe dhe u shtri ngadalë duke e tërhequr mbi trupin e tij. Mbylli sytë në pritje të kënaqësisë së paprovuar kurrë më parë. Papritur ndjeu një therje të mprehtë në gjoks dhe nuk pati kohë as të lëshonte zë. Trupi filloi të dridhej dhe një gulsh gjaku rrodhi mbi minder. Pashai turk dha jetë në çast.

Zana e Krojeve qëndroi pa lëvizur deri sa u bind që pashai kishte vdekur. Pastaj tërhoqi ngadalë shtizën e mprehtë prej hekuri që kishte ngulur në zemrën e tij, e fshiu mbi mbulesën e minderit dhe e fshehu sërish nën veshjen e saj. U ngrit e doli ngadalë nga çadra, ku dy rojet e nderuan me qëndrim gatitu. Tek dalja e kampit ndeshi sytë e egër të një femre, që ishin gati t’i hidhnin zjarr mbi trup. Por Zana e Krojeve nuk e begenisi vështrimin e saj,veç shpejtoi hapin shtegut përtej lumit,që ngjiste për tek fortesa.

Hanëm Avna, e xhindosur për fyerjen që i kishte bërë pashai, u nis drejt çadrës së tij. Pak çaste më vonë ajo lëshoi një britmë nga çadra e Vuçi Pashës. U muar vesh që pashai turk kishte vdekur dhe në kamp filloi zallamahia. Ranë tamburet e alarmit. Nga muret e Forcës së Kelmendit malësorët dëgjonin tamburet dhe shikonin gjurulldinë e panikut në kampin turk.

-E shitoi Zana jonë pashanë e Turqisë,-tha Prenush Cali, ndërsa pa rojet që e ulën urën dhe vajzën që hyri sërish në fortesë.