Extra George Clooney zbulon zakonin romanik që bën me Amal dhe frikën për...

George Clooney zbulon zakonin romanik që bën me Amal dhe frikën për binjakët e tyre

George Clooney mbetet ende një romantik. Në intervistë të rrallë për revistën AARP, aktori 59-vjeçar flet hapur për dëshirën e tij për të shkruar letra dhe se si ai dhe bashkëshortja avokate e të drejtave të njeriut, Amal, 42 vjeçe, ende shkruajnë letra me njëri-tjetrin pas katër vitesh martesë.

“Edhe gjatë izolimit, unë shkruaja një letër dhe e lija në tryezën e saj, ose ajo do të shkruante një letër dhe do ta linte nën jastëk. Besoj shumë tek letrat. Kam letra nga Paul Newman, Walter Cronkite, Gregory Peck. I kam vendosur në kornizë. Nëse do të ishte një mesazh, do të ndihej ndryshe. Ndoshta kjo është një gjë që lidhet me brezat, dhe mbase nuk do të jetë në këtë mënyrë 20 vjet nga tani, por për mua, dikush u ul dhe e shkroi atë”, thotë aktori.

Clooney gjithashtu tregon arsyen unike pse zgjodhi emrat e thjeshtë dhe klasikë, Ella dhe Alexander, për binjakët e tij 3-vjeçarë.

“Nuk doja emra të çuditshëm për fëmijët tanë. Do të kenë mjaftueshëm telashe. Është e vështirë të jesh djali i dikujt të famshëm dhe të suksesshëm. Djali i Paul Newman vrau veten. Djali i Gregory Peck vrau veten. Bing Crosby bëri dy djem që vranë veten. Kam një avantazh se do jem aq i moshuar sa që kur djali im të ndihet në konkurrencë, mezi do jem duke ngrënë bukë”.

Clooney rrëfen gjithashtu aksidentin me motor që pothuajse i mori jetën në Sardenjë, Itali, në 2018-n. Shqetësimi i tij më i madh për këtë? Se në vend që njerëzit të përpiqeshin ta ndihmonin, ata përpiqeshin t’i bënin foto.

“Nuk jam cinik, por gjithmonë, gjithmonë do ta kujtoj atë moment, sepse askush nuk po mundohej për të kërkuar ndihmë ose nuk vinte për të ndihmuar. Për ta momenti më i keq i jetës sime ishte argëtim. Njerëzit po vriten sepse bëjnë një foto të një makine që përplaset përballë tyre. Ne po jetojmë në këtë botë ku të gjithë po përpiqen ta bëjnë veten interesante ose të rëndësishme ose diçka tjetër. Kur realiteti është: Hiqeni telefonin!”.