324 kilogramë kokainë është sasia totale e sekuestruar nga autoritetet greke në një operacion së bashku me DEA-n amerikane të premten. Tre persona kanë rënë në pranga, mes tyre edhe shqiptarë.
Të shtunën, mediat greke thanë se në fakt dy prej të arrestuarve janë shqiptarë, një 37-vjeçar dhe një 35-vjeçar, i cili mban edhe nënshtetësinë greke. Në pranga ra edhe një 36-vjeçar kroat. Identitetet e tyre nuk janë bërë ende publike. Ata u arrestuan në qendër të Selanikut pasi kishin vendosur që të takoheshin për të vendosur si do të shisnin kokainën.
Sasia e drogës ishte futur në një furgon, e ndarë në 260 pako. Po ashtu u kontrollua edhe apartamenti ku banonte kroati. Autoritetet deklaruan se të dyshuarit planifikonin që të përzienin kokainën me substanca të tjera dhe planifikonin që drogën ta shisnin në disa zona të ndryshme të Greqisë. Nëse dilte në treg grupi kriminal që fshihej pas këtij operacioni të jashtëligjshëm do të fitonte deri në 100 milionë Euro.