Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve për të penguar tubimet anti-Putin, mbështetësit e liderit opozitar Aleksei Navalni i mbushën sërish rrugët dhe sheshet e Moskës dhe shumë qyteteve të tjera.
Mbi 3 300 protestues u arrestuan vetëm në kryeqytetin rus ku pati edhe përleshje mes protestuesve dhe policisë.
Protesta anti-Kremlin e arrestime pati anekënd Rusisë, nga Shën Petërburgu në Vladivostok. Protestuesit sfiduan temperatura acari që arrinin në minus 42 gradë Celcius.
Navalni u arrestua në 17 Janar pas rikthimit nga Gjermania ku u kurua për helmim të dyshuar me Noviçok. Mbështetësit e tij dhe vendet perëndimore akuzojnë presidentin rus Vladimir Putin, se urdhëroi arrestimin për t’i mbyllur gojën opozitës.
Por Kremlini thotë se ai u kthye në qeli në vazhdim të proceseve gjyqësore të mëhershme për akuzat për korrupsion, për të cilat ishte liruar me kusht.