Autoritetet portugeze raportuan të shtunën se u kishin mbetur vetëm shtatë shtretër në njësitë e kujdesit intensiv në spitale për pacientët me infeksion të rëndë COVID-19 dhe se një rritje e mprehtë e numrit të njerëzve të infektuar në vend i detyroi ata të transportonin disa pacientë të sëmurë kritikisht në spitalet në ishujt portugezë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nga 850 shtretër në njësitë e kujdesit intensiv të destinuar për pacientët me COVID, deri në 843 shtretër janë zënë deri më tani.
Kombi prej 10 milion banorësh ka edhe 420 shtretër shtesë në njësitë e kujdesit intensiv, por ato janë të destinuara për njerëzit që vuajnë nga sëmundje të tjera të rënda.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se 12,435 infeksione të reja u regjistruan të shtunën, e cila është më pak se të dhënat rekord nga e enjtja, dhe 293 njerëz vdiqën si rezultat i koronavirusit të shtunën.
Portugalia ka regjistruar mesataren më të lartë të rasteve shtatë-ditore të koronavirusit dhe vdekjeve për frymë në botë në shtatë ditët e fundit.
Kjo rritje galopante infeksionesh i atribuohet vendimit për të lehtësuar masat kufizuese gjatë pushimeve të Krishtlindjeve. Por ka dyshime se mund të bëhet fjalë dhe praninë e mutacionit të ri, atij britanik, që ka veti të përhapet më shpejt.
Austria dhe Gjermania kanë ofruar të ndihmojnë shërbimin shëndetësor të rraskapitur të Portugalisë. Austria ka ofruar të marrë pacientë të sëmurë rëndë me Covid-19 nga Portugalia. “Është një domosdoshmëri e solidaritetit evropian për të ndihmuar në shpëtimin e jetëve njerëzore shpejt dhe në mënyrë joburokratike”, tha kancelari Sebastian Kurz. Forcat e Armatosura gjermane po shqyrtojnë mënyrën e veprimit pas kthimit të një ekipi zbulimi mjekësor nga Portugalia. ”Natyra dhe shtrirja e mbështetjes për Portugalinë, nga e cila është marrë një kërkesë për ndihmë, duhet të vendoset”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes.
”Der Spiegel” njoftoi se një ekip prej 27 mjekësh dhe infermierësh mund të dërgoheshin në Portugali në fillim të kësaj jave për të ndihmuar në spitalet e mbingarkuara.