Sport Kontrata e Messit falimentoi Barcelonën, mbi gjysmë miliardi euro për 4 vjet

Kontrata e Messit falimentoi Barcelonën, mbi gjysmë miliardi euro për 4 vjet

“Dita kur Messi konfiskoi Barcelonën”. Reagon klubi i Barcelonës: Në gjyq ata që duan t’i prishin imazhin. Klubi “mohon kategorikisht të ketë përgjegjësi në botimin e këtij dokumenti”

Më shumë se gjysmë miliardi euro për 4 vjet. Kaq fiton Lionel Messi nga kontrata me Barcelonën, e firmosur në nëntor të 2017-ës dhe që skadon në qershor. “El Mundo” ka arritur të gjejë tekstin e kontratës, duke bërë publike shifrat që mund të sjellin ndarjen përfundimtare mes Mesit dhe Barcelonës.

Është e qartë se kontrata e Mesit ka pasur impakt të tmerrshëm ekonomik në kasat e klubit katalanas, në raport me rezultatet sportive të viteve të fundit. Sipas asaj që zbulon “El Mundo”, kontrata e Mesit vlen 555.237.619 euro për 4 vjet, ose 139 milionë euro në sezon.

Në kontratë janë dy “çmime”: një për firmën prej më shumë se 115 milionë eurosh, dhe një për besnikërinë prej 80 milionë eurosh. Pavarësisht aventurave të shëmtuara në 3 sezonet e fundit në Ligën e Kampionëve, Mesi ka përfituar 92% të vlerës së totalit të përmendur më lart, rreth 511 milionë euro, një shifër që e ndarë në 4 vite do të thotë 127.7 milionë euro në sezon.

Barcelona sapo ka njoftuar se borxhi i saj shkon në vlerën 1137 milionë euro. Është e natyrshme që një kontratë e këtij tipi rëndon shumë në arkën e klubit. Edhe sfondi i “scoop”-it të të përditshmes spanjolle është i qartë: “Si e ka paguar këto vite klubi lojtarin argjentinas?” – është titulli i artikullit kryesor, që shoqëron shifrat.

“Dita kur Messi konfiskoi Barcelonën”

Pastaj edhe tre tituj më të vegjël: “Dita kur Messi konfiskoi Barcelonën”, “Një akord i bërë në gjunjë” dhe “Një njeri nuk mund të jetë kurrë një Zot”. Messi në gusht kërkoi me anë të një burofax-i që të largohej. Presidenti Bartomeu pas pak kohësh dha dorëheqjen dhe tani Messi mund të ikë si lojtar i lirë. Do të ikë gratis, pasi ka marrë një pagë të pabesueshme.

Barcelona: Në gjyq ata që duan t’i prishin imazhin

Klubi i Barcelonës ka reaguar zyrtarisht pas publikimit të detajeve të kontratës “faraonike”, që Lionel Messi ka firmosur në vitin 2017 me “blaugranat”. Në reagim shkruhet se klubi “do të ndërmarrë veprime të duhura ligjore kundër gazetës “El Mundo Deportivo”, për shkak të paragjykimeve që mund të shkaktohen nga ky botim”.

Barça, përmes kësaj deklarate, ankohet që informacioni që “është zbuluar publikisht, është një dokument ekskluzivisht privat i nënshkruar me parimin e konfidencialitetit midis palëve”.

Përveç kësaj, klubi “mohon kategorikisht të ketë përgjegjësi në botimin e këtij dokumenti”, ndërsa “shpreh mbështetjen e tij absolute për futbollistin”, veçanërisht përpara çdo përpjekjeje për të diskredituar imazhin e tij dhe dëmtuar marrëdhëniet e tij me klubin ku ai është bërë lojtari më i mirë në historinë e futbollit”.