Bota Ushtria bastis laboratorët e kokainës, siguronin 4 miliardë dollarë të ardhura në...

Ushtria bastis laboratorët e kokainës, siguronin 4 miliardë dollarë të ardhura në vit

Ushtria kolumbiane sekuestroi dy laboratorë kokaine në xhungël, që, sipas autoriteteve, furnizonin Kartelin e Sinaloas, dikur të drejtuar nga Joaquin El Chapo Guzman. Laboratorët i përkisnin Ushtrisë Kombëtare Çlirimtare, grupit më të madh gueril në vend me prirje të majta, që mendohet se siguron deri në 4 miliardë dollarë në vit nga trafikimi i kokainës.

Në një video të publikuar nga zyra e Prokurorisë së Përgjithshme të Kolumbisë tregohet momenti kur ushtarët zbresin me helikopter dhe bastisin një prej dy laboratorëve të ngritur nga Ushtria Kombëtare Çlirimtare në një pyll pranë brigjeve të Paqësorit në rajonin Narinjo (Nariño).

Forcat e sigurisë, të ndihmuar edhe nga agjentët e DEA-s amerikane arritën të sekuestronin edhe 2800 kg kokainë, me vlerë prej të paktën 95 milionë dollarësh.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Kolumbisë tha se në të dy laboratorët janë prodhuar të paktën 3-4 tonë kokainë në muaj. Hetuesit mësuan se lënda narkotike ngarkohej në skafe që niseshin përmes Paqësorit për të mbërritur në Amerikën Qendrore, ku u dorëzohej më pas grupeve të lidhur me Kartelin e Sinaloas.

Autoritetet kolumbiane deklaruan në tetor të vitit të kaluar se pjesa më e madhe e kokainës së prodhuar në vend u shkonte katër organizatave kryesore kriminale në Meksikë, Kartelit të Sinaloas, Jalisco Nueva Generacion, Los Zetas dhe Beltrán-Leyva.

Të dhënat e mbledhura nga Zyra për Drogat në Organizatën e Kombeve të Bashkuara tregojnë se, në vitin 2019, Kolumbia kishte 154 mijë hektarë të mbjella me bimën e kokës, në gjendje për të prodhuar 1137 tonë kokainë.