Real Madridi do të ndryshojë trajner në fund të sezonit. Përveç surprizave të bujshme, lamtumira e Zinedine Zidane duket e sigurt. Rezultatet e trajnerit francez, në mandatin e tij të dytë, nuk janë të kënaqshme dhe Florentino Perez tashmë ka marrë vendimin e tij. Madje, ka piketuar edhe pasuesin e “Zizou”. Po flasim për Massimiliano Allegri, që ishte në orbitën e Romës për postin e Fonseca. Ish-trajneri kampion me Milanin dhe Juventusin, sipas “Cadena Ser”, mbetet favorit absolut për t’u ulur në stolin e bardhë.
Përndryshe, Perez do t’i besojë legjendës së klubit, Raul. Ish-sulmuesi, aktualisht në krye të Real Madrid Castilla, është shumë i dashur dhe i vlerësuar nga tifozët. Megjithatë, i duhet ende eksperiencë, qoftë edhe duke ndjekur rrugën e Zidane, fillimisht si zv.trajner e më pas “violinë e parë”. Pra, nuk është çudi që ish-bomberi madrilen të jetë krahu i djathtë i Allegri, që të rritet e bëhet gati për një shkallë më lart me kalimin e kohëve.