Politika Fatos Nano: Shansi i artë që na dha Gjermania në vitin 1989

Fatos Nano: Shansi i artë që na dha Gjermania në vitin 1989

Në vitin 1989, Shqipëria pati shansin e artë që të vendoste marrëdhënie tregtare dhe politike me Bashkimin Europian me ndërmjetësimin e Gjermanisë.

Por ky shans u humb për shkak të Ramiz Alisë, i cili nuk i ktheu përgjigje ofertës së Gjermanisë.

Kështu është shprehur ish-Kryeministri Fatos Nano, i cili në një rrëfim për emisionin Opinion në Tv Klan, ka zbuluar prapaskenat para rrëzimit të komunizmit.

Nano tha se në vitin 1989 ka qenë pjesë e një vizite në Gjermani dhe përpiloi vetë raportin për këtë vizitë, ku në fund përcillej edhe “oferta” e Gjermanisë për Shqipërinë.

Blendi Fevziu: A kishte shanse Shqipëria në atë kohë, në vitet ’85-’86, të hapej drejt Perëndimit përpara vendeve të tjera të Lindjes? Dhe a pati tratativa për të në atë kohë?

Fatos Nano: Kam një përvojë personale për këtë gjë. Në mes të vitit 1988, u bëra pjesëtar i një grupi pune të kryesuar nga Abdyl Baca. Detyra ishte të prisnim në Tiranë në 5 dite pune drejtorin e Europës në Ministrinë Federale të Ekonomisë Gjermane, i cili do të na fliste për politikat e BE-së, institucionet e BE-së, politikat ndaj Mesdheut. Nuk kaloi shumë, por pas 6 muajsh, vjen ftesa nga Ministria Gjermane e Ekonomisë për të parë në vend dhe për t’u takuar me më shumë personalitete. Vizita ime në ’89 në Gjermani ka qenë e rrallë, e organizuar kaq mirë. Më çuan me Luan Çaullarin, zv/kryetari i komisionit të planit. Filluam nga Mynih për të dalë në Hamburg, vizituam 5 lande, u takuam me zyrtarët e Ministrive përkatëse, u takuam me botën akademike, u takuam me CEO të kompanive kryesore gjermane. E gjitha kjo përfundoi në një raport rreth 20 faqe që e kam shtypur vetë, i cili përfundoi me mesazhin që na dha Gjermani, që ishte: “Ju mjafton të merrni një vendim politik, që jeni të gatshëm të hapeni ndaj BE-së. Ne do t’ju marrim për dore, do t’ju çojmë në Bruksel, do ju tregojmë ku të trokisni, nuk do jemi ne brenda, por do gjeni atmosferë shumë miqësore. Merreni vendimin politik dhe do t’ju shoqërojmë për të krijuar të parët marrëdhënie preferenciale me BE-në”.

Blendi Fevziu: Ju e përcollët këtë mesazh?

Fatos Nano: Ky material i shkoi Ramiz Alisë. Dhe nuk u dha asnjë përgjigje për 1 vit e ca. Kur kam takuar Ramizin për herë të parë në ’90, i them: “Po ç’u bë ai materiali i gjermanëve”. Po se ku ma zhduku Hekurani (Isai)– tha – nëpër sirtarë.

Blendi Fevziu: Kur e gjykoni sot me intuitën tuaj, mund të shkonte deri me pranimin e Shqipërisë në BE si një projekt pilot?

Fatos Nano: Jo, ishte fillimi i rrugës për të krijuar marrëdhënie preferenciale tregtare dhe pastaj bashkëpunimi më të gjerë ekonomik.

Blendi Fevziu: Pra, ishte vetëm vendimi ynë?

Fatos Nano: Ishte vendimi ynë.

Blendi Fevziu: Që nuk e morëm…

Fatos Nano: E humbi Hekurani pra. Që do të thotë… Prandaj kam thënë që Ramiz Alia ngeli takticien, nuk u bë kurrë strateg. Ky ishte një nga vendimet strategjike që duhet të merrte.

Blendi Fevziu: Që nuk e mori kurrë.

Fatos Nano: Nuk e mori kurrë!