Për uellsianin Gareth Bale, e ardhmja është bërë një rebus. Sulmuesi është shndërruar në protagonist në Madrid, pikërisht kur skuadra e tij, Reali, po kalon ditë të vështira.
Nga ana tjetër, Manchester United, kurrë nuk e ka fshehur dëshirën për ta bërë të vetin mëngjarashin. Por së fundmi, në tryezën e Florentino Perez, ka mbërritur dhe një ofertë nga Bayern Munich.
Klubi gjerman që kurrë nuk bën “kërcime” të palogjikshme në blerjen e lojtarëve, është gati të ofrojë 100 milion euro për Bale. Shifra konsiderohet sforco e madhe për bavarezët, që janë një klub që gjithnjë bilancet i mbajnë shumë pozitive cdo vit.
Por kjo shifër mund të jetë “e logjikshme” edhe për Realin e Madridit, që është në proces rinovimi, e që kërkon të afrojë në klub, lojtarë të kushtueshëm si Hazard, Kane, apo Neymar. Megjithatë Perez do ta shohë me qetësi cdo ofertë, sepse “politikisht”, nuk i shkon që të forcojë menjëherë një rival për fitimin e Champions League.