Bota Në prag të vdekjes, 95-vjeçarja gjermane akuzohet për vrasje masive në kampin...

Në prag të vdekjes, 95-vjeçarja gjermane akuzohet për vrasje masive në kampin nazist

Një 95-vjeçare e cila ka punuar në një kamp nazist gjatë kohës kur qeveriste Adolf Hitler, akuzohet për ndihmë në vrasje masive. Gruaja, e quajtur Irmgard F që jeton në një shtëpi të moshuarish në Pinneberg afër Hamburgut, akuzohet në lidhje me “më shumë se 10,000 vrasje”.

Sipas BBC, ajo ishte sekretare e komandantit të Stutthof, një kamp i ashpër pranë Gdanskut të sotëm, ku rreth 65,000 të burgosur vdiqën gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Është ende e paqartë nëse ajo do të përballet me akuzat në gjyq apo jo, pasi akuzat ende nuk janë zyrtarizuar.

Kampi Stutthof u krijua në 1939, në atë që ishte atëherë Polonia e pushtuar nga nazistët. Në këtë kamp janë burgosur më shumë se 100 mijë qytetarë, ku shumë prej tyre vdiqën nga torturat e tjerë u vranë në dhomat e gazit.

Shumë nga viktimat ishin hebrenj; por kishte edhe polak dhe ushtarë sovjetikë të kapur rob. Tashmë çështja për 95-vjeçaren do të merret në shqyrtim nga një gjykatë për të miturit në Schleswig-Holstein, pasi e moshuara në kohën kur u kryen krimet ka qenë më pak se 21 vjeçe dhe sipas ligjit gjerman llogaritej si e mitur.