Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka bërë thirrje Europës dhe koncerneve farmaceutike për të përshpejtuar vaksinimin kundër virusit e t’i ndajnë dozat me Ballkanin para kufirit 70% të vaksinimit në popullsinë e tyre.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH përmes drejtorit të këtij institucioni për Europën, Hans Kluge ka përsëritur thirrjen e OBSH që vendet e pasura të ndajnë me vendet e varfra dozat e vaksinës, pasi të kenë vaksinuar një pjesë të popullsisë së tyre. “Ne e dimë që BE, Kanadaja, Britania e Madhe dhe SHBA, kanë porositur katër deri në nëntë herë më shumë doza vaksine, se sa kanë nevojë. Jam i mendimit, që nuk duhet pritur, deri sa të vaksinohen 70% e popullsisë, për të filluar të ndahen vaksinat me Ballkanin, me Azinë Qendrore apo Afrikën”, tha Kluge në një intervistë me agjencinë e lajmeve, AFP. Këtë javë u kalua shifra e vaksinimit të 100 milionë personave në botë, ndërkohë që 65% e vaksinave janë dhënë në vende me të ardhura të larta.
Të bashkohen forcat për të rritur kapacitetet e prodhimit
OBSH kërkon më shumë bashkëpunim të Europës dhe koncerneve farmaceutike. “Ne duhet të bashkohemi”, tha drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, Hans tha Kluge për AFP. Nëse nuk bëhet ndryshe duhet që “prodhuesit farmaceutikë konkurrentë të bashkojnë forcat për të rritur në mënyrë të jashtëzakonshme kapacitetet e prodhimit”, shkruan AFP.
Për të siguruar një shpërndarje të drejtë të vaksinës, OBSH së bashku me mbështetjen e aleancës Gavi, ka krijuar programin Covax. Ky program ka vënë si synim që deri në fund të vitit të verë në dispozicion vaksinat në mënyrë të mjaftueshme, për të vaksinuar 20% të popullsisë së vendeve që marrin pjesë në këtë iniciativë. Financimi për 92 vendet më të varfra të botës është siguruar.
Drejtori i OBSH për Europën, Hans Kluge u shpreh për AFP edhe lidhur me pyetjen, nëse vaksinat aktuale janë efektive edhe kundër varianteve të reja të virusit. Kluge tha për AFP të premten, se “kjo është pyetja e madhe. Jam i shqetësuar.” Ai kërkoi që vendet të përgatiten për mutacionet problematike të virusit dhe të bëhen më shumë teste speciale të segmentimit të virusit. Nga 53 vende që janë në hapësirën europiane të OBSH, ku bëjnë edhe disa vende aziatiko-qendrore, 37 prej tyre kanë konstatuar variantin britanik të virusit dhe 17 mutantin afrikano-jugor. Në tërësi në BE dozën e parë të vaksinës e kanë marrë 2,5% e popullsisë./DW