Kryesore Biden i kërkon Vuçiç të njohë Kosovën. Presidenti serb: Ma kërkoi edhe...

Biden i kërkon Vuçiç të njohë Kosovën. Presidenti serb: Ma kërkoi edhe Trump, por…

Presidenti amerikan Joe Biden i ka kërkuar presidentit serb arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi, që do të përqendrohet në njohjen reciproke.

Në një letër urimi me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi mbështetjen e SHBA-së për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e cila përqendrohet në njohjen reciproke.

Letra e Biden

Në letrën e tij presidenti amerikan, po ashtu ka konfirmuar mbështetjen amerikane në integrimin europian të Serbisë. Në fund Biden shkruan se duhet një luftë e përbashkët kundër Covid-19, pasi është një sfidë globale.

“Në emër të popullit amerikan, ju shpreh urimet e mia të përzemërta juve dhe qytetarëve tuaj të tjerë ndërsa festoni ditën kombëtare të Serbisë. Ndërsa përkujtojmë 140 vjet partneritet midis dy vendeve tona, Shtetet e Bashkuara mbajnë angazhimin e tyre të qëndrueshëm për të promovuar bashkëpunimin ekonomik, stabilitetin rajonal dhe vlerat demokratike.

Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën të përqendruar në njohjen reciproke.

Fuqia e marrëdhënies sonë është e ndërtuar mbi një histori të thellë të lidhjeve njerëz me njerëz, duke luftuar si aleatë në të dy Luftërat Botërore dhe ne çmojmë kontributet e mëdha që serbët i kanë dhënë shoqërisë amerikane në shumë fusha. Ne gjithashtu vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë në luftimin e pandemisë COVID-19 ndërsa bashkërisht përballemi me këtë sfidë të paparë globale”, ka shkruar Biden në letrën e tij.

Reagimi i Vuçiç

Pas publikimit të letrës, ka reaguar edhe Aleksandër Vuçiç, i cili  shprehet se sa i përket njohjes reciproke, nuk thuhet në asnjë akt të organizatave botërore. Sipas tij ka pasur përpjekje për ta përfshirë në marrëveshjet e ardhshme, duke nënkuptuar takimin e shtatorit me ish-presidentin Trump.

“Kam marrë një mesazh urimi nga Presidenti Biden. Sa i përket njohjes reciproke, nuk thuhet në asnjë akt të organizatave botërore. Ka pasur përpjekje për të imponuar atë term si diçka që duhet ta kishim pranuar si zgjidhja përfundimtare. Por unë ua thashë çfarë mendoja për njohjen reciproke”, shprehet Vuçiç, raportojnë mediat serbe.

Në takimin e shtatorit të vitit të kaluar në Uashington, presidentit serb iu ofrua të përfshinte te marrëveshja edhe termin “njohje reciproke”, por Vuçiç e hodhi poshtë dhe ky term u hoq nga marrëveshja e Uashingtonit.