Sport Manchester City për “notën 10”, Liverpooli dorëzon titullin

Manchester City për “notën 10”, Liverpooli dorëzon titullin

Manchester City vrapon drejt titullit kampion, pasi mbrëmjen e sotme ia doli të triumfojë me rezultatin e thellë 1-4 në transfertën ndaj Liverpoolit në “Anfield Road’ dhe shkoi në kuotën e 50 pikëve, 5 më tepër se Manchester United i vendit të dytë.

Krye-sfida e javës në kampionatin anglez ishte mjaft spektakolare, sidomos në pjesën e dytë, kur edhe u shënuan të 5 golat e ndeshjes, por në fund ishin ‘citizens” ata që festuan fitoren e 10 radhazi.

Liverpool e nisi mirë ndeshjen, duke fituar një epërsi territoriale, por pa mundur të shkojë rrezikshëm në portën e Ederson, ndërsa Manchester City pati mundësinë më të mirë të shënimit në pjesën e parë, por Gundogan shpërdoroi një 11-metërsh.

Pjesa e dytë nisi vrullshëm për skuadrën e Guardiolës, që zhbllokoi sfidën në minutën e 49’ pikërisht me anë të mesfushorit turko-gjerman, i cili korrigjoi gabimin e bërë nga pika e penalltisë, pasi mposhti portierin Alisson.

Liverpool riktheu baraspeshën në minutën e 63-të me anë të golashënuesit kryesor këtë sezon, Mohamed Salah, i cili ekzekutoi saktë një penallti dhe dërgoi topin në rrjetën e portierit Ederson.

Më pas gjithçka foli për “citizens” që nga minuta e 73-të deri në të 83-ën shënuan edhe tre herë të tjera, me Gundogan, Sterling e Foden, duke kompletuar suksesin në një fushë të vështirë dhe ndaj një rivali direkt për titullin.

Kjo ishte humbja e dytë radhazi në harkun e 4 ditëve në “Anfield Road” për Liverpoolin, që mbetet në kuotën e 40 pikëve dhe tani me 10 pikë larg kreut, duket e pamundur të tentojë mbrojtjen e titullit kampion.