Pavarësisht pandemisë, investimet në teknologji nuk kanë ndalur në muajt e fundit, edhe pse janë përqendruar në zhvillimin e vaksinave kundër Covid-19 si dhe pajisjeve për të diagnostikuar infektimin.
Sipas një raporti të “Bloomberg”, Koreja e Jugut është vendi më inovator i vitit, duke kapërcyer kështu në renditje Gjermaninë. Nga 9 vite që ky publikim ka përpiluar renditjen e shteteve më inovatore, në 7 raste ka kryesuar Koreja e Jugut.
“Bloomberg” merr parasysh disa aspekte për të bërë renditjen e shteteve inovatore, si për shembull shpenzimi për inovacione dhe zhvillime teknologjike, aftësia për fabrikim apo përqendrimi i ndërmarrjeve të teknologjisë së lartë.
Singapori dhe Zvicra ndjekin Korenë e Jugut në këtë renditje, ndërsa Gjermania ka zbritur në vendin e katërt.
Në dhjetëshen e parë janë edhe Suedia, Danimarka, Izraeli, Finlanda, Holanda dhe Austria.