Presidenti Ilir Meta nga Korça i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili në një intervistë në emisionin “Opinion” tha se tek Presidenti aktual shikon 7 mëkatet më të mëdha të Biblës.
Meta tha se nuk do të komentojë kurrë deklaratat e Nanos, por shtoi se nuk shkon që të merresh me kumar dhe të citosh Biblën.
“E kam thënë edhe më parë zero komente, për zero, zero, zero. Të merresh me kumar dhe të citosh biblën sikur nuk shkojnë këto gjëra”, tha Meta.
Më tej ai u bëri një thirrje partive politike që në listat zgjedhore të vendosin kandidatë që nuk kanë probleme me ligjin.
“Fakti që kemi bërë një ligj për dekriminalizmin tregon që ka qenë në problem serioz i politikës sonë, i Kuvendit dhe i pushtetit vendor dhe ndaj që partitë politike duhet të tregojnë vullnetin që të distancohen nga figurat që nuk përfaqësojnë qytetarët dhe interesin e tyre të lartë publik dhe të mos kenë probleme me ligjin”, shtoi Presidenti.