Pas një izolimi të tretë kombëtar, autoritetet në Austri kanë vendosur të rihapin shkollat, dyqanet, sallonet e bukurisë dhe muzetë, por rihapja do të jetë nën masa strikte, pasi janë shtuar shqetësimet nga variantet e reja të COVID-19.
Njerëzit që shkojnë në parukeri do të duhet të dëshmojnë një rezultat negativ të testit COVID i realizuar brenda 48 orëve.
Në dyqane, klientët duhet të mbajnë maska të plota mbrojtëse dhe jo thjesht mbulesa pëlhure.
Ndërkaq restorantet dhe hotelet mbeten të mbyllura dhe autoritetet konfirmojnë se nuk do të rihapen edhe këtë muaj.
Jo të gjithë kanë pasur një qasje pozitive ndaj kësaj rihapje. Kreu i opozitës në Austri është treguar skeptik.
Kreu i opozitës së vendit shprehet se kjo rihapje, përveç shkollave, shton edhe më shumë rreziqet për qytetarët.
Ndërkohë, autoritetet shëndetësore në Hungari kanë aprovuar vaksinën ruse Sputnik V, 40 mijë doza të vaksinës janë gati për përdorim.
Këto janë dozat e para pasi rreth dy milionë doza pritet të shpërndahen në tre muajt në vijim. Hungaria ka qenë kritike ndaj Bashkimit Europian sa i përket procesit të ngadaltë të sigurimit të vaksinave.
Ndryshe nga çdo vit sezoni karnavaleve është i heshtur në Venecia, pa prezencën e turistëve. Më shumë se tre milionë të tillë do të ishin aty në ditë normale. Por sot ka shumë pak personazhe me maska dhe atmosfera festive duket e largët
“Ne jemi këtu për të thënë se Venecia mund të jetojë dhe të rilindë sikundër ka bërë shumë herë gjatë historisë. Ne jemi të sigurt dhe optimist se do të rikthehet,” – tha një shitës kostumesh në Venecia.
Autoritetet po përpiqen të mbajnë gjallë shpirtin e karnavaleve duke ofruar disa evente online e ku njerëzit mund të festojnë në shtëpi.