Ish-Kryeministri Sali Berisha tha se nuk angazhohet në një luftë të brendshme në Partinë Demokratike.
Në një intervistë në studion e “Byro politike” në Abc News, Berisha tha se “më 26 korrik të 2013 e kam mbyllur angazhimin politik në funksionet partiake dhe unë mbetem ky që është sot”.
Ish-Kryeministri deklaroi se angazhimi i tij ka të bëjë me mbrojtjen e interesit publik dhe me asgjë tjetër.
“Thelbi i intelektualit është mbrojtja e interesit publik. Unë kam dhënë dorëheqjen si kryetar i PD-së, por kam thënë se nuk e jap Sali Berishën”,– tha Berisha, duke shtuar se “ka qenë kalorës në fushën time”.
Në vijim Berisha tha se PD pësoi një humbje të thellë në qershor të 2013 për të cilën ai morri të gjitha përgjegjësitë.
“PD nuk u ringrit në shkallën e duhur në mandatin e parë të Edi Ramës, por nuk ka kurrë fitoreje të përjetshme apo humbje të përjetshme. Unë besoj se PD ka të gjithë detyrën dhe potencialin për t’u ngritur në lartësinë e pritshmërie të elektoratit”, – tha Berisha.