“Dy javët e ardhshme janë vendimtare. Janë vetëm dy javë dhe nga gjithsecili kërkohet një sakrificë. Janë dy javë kur zinxhirit të infeksionit duhet t’i vëmë përballë zinxhirin e solidaritetit mes nesh, mes qytetarëve dhe autoriteteve shëndetësore. Zbatimi i masave në dy javët e ardhshme, do të vendosë nëse do të kemi shtrëngim të mëtejshëm të tyre, apo do të kemi lehtësim”.
Kështu u shpreh ministrja Manastirliu teksa prezantoi edhe masat e reja këtë të mërkurë.
Ndërkohë, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, prof. Albana Fico, duke folur për situatën epidemiologjike tha se aktualisht ka një dinamikë të re në infektimet me COVID19, ku vërehet një rritje e të infektuarve në grupmoshat 15-24 vjeç.
“Situata epidemiologjikë në 3 javët e fundit ka një tendencë në rritje të rasteve të reja të konfirmuara me covid19, veçanërisht e shprehur në javën e fundit. Të dhënat tregojnë se përveç rritjes në grupmoshat nga 45-64 vjeç, në javët e fundit ka një rritje të incidencës te grupmosha 15-24 vjeç. Mesatarja e rasteve ditore në javën e fundit, krahasuar me javën paraardhëse, është rritur nga 836 në 1030. Edhe faktorët e tjerë si, numri i të shtruarve në spitale dhe në terapi intensive kanë pësuar rritje, ndërsa mosha mesatare e shtrimeve në spitale është ulur”, tha Fico.
Duke folur për variantet e reja të virusit, Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, prof. Silva Bino tha se ka dyshime se në vend kanë hyrë të dyja mutacionet e Covid 19, si ai i Mbretërisë së Bashkuar ashtu edhe ai i Afrikës së Jugut.
“Ne vijojmë dërgimin e mostrave. 50 monstra po dërgohen në Institutin e Shëndetit Publik të Anglisë që janë edhe laboratore reference. Ne kemi dyshuar për këto mostra për mutacion. Të dyja llojet e mutacioneve qoftë i Mbretërisë së Bashkuar, qoftë ai i Afrikës së Jugut. Këto mostra po testohen. Ne po ashtu presim metodologjinë e re që të na vijë sot nga Turqia, metodë që po zbatohet edhe në Norvegji dhe do të na lehtësojë punën për t’i dalluar më mirë këto mutacione”- tha Bino.
Në mbledhjen e radhës të Komitetit Teknik të Ekspertëve, Shefja e Spitalit Infektiv, prof. Najada Çomo ka bërë një pasqyrim të situatës së shtrimeve në spitale, duke bërë me dije se ka një shtim të numrit të shtrimeve në moshat e reja.
“Kemi një shtim të numrit të rasteve të shtruar në spitale. Është shtuar numri i moshave të reja dhe kemi edhe forma të rënda të shtrimeve në spitale, shoqëruar edhe me humbje jete. Fluksi i shtrimeve në spitale vijon të jetë i përballueshëm, por i shtuar në numra”, tha Çomo.