Kryesore Raporti interesant i INSTAT: Për çfarë dallohen qarqet kryesore të Shqipërisë?

Raporti interesant i INSTAT: Për çfarë dallohen qarqet kryesore të Shqipërisë?

Instituti i Statistikave (INSTAT) ka përgatitur një raport ku paraqiten statistikat sociale dhe ekonomike për gjithë qarqet dhe bashkitë e vendit.

Nga statistikat vihen re veçoritë e disa nga qarqeve kryesore të vendit, për vitet 2018-2019.

Berati: Qarku me prodhimin më të madh të ullinjve. Konkretisht qarku i Beratit mbulon 14% të prodhimit. Numri i popullsisë 123,578.

Dibra: Qarku me mesataren më të ulët mujore për shpenzimet në familje. Bëhet fjalë për shumën 67.805 lekë në muaj. Numri i popullsisë 117,409.

Durrësi: Qarku i dytë me numrin e lejeve të ndërtimit që janë lëshuar për ndërtesat e reja. Në këtë qark gjatë një viti janë lëshuar 152 leje ndërtimi. Numri i popullsisë 290,409.

Elbasani: Qarku i dytë me numrin më të madh të gjedhëve. Ky qark numëron 43.100 krerë. Numri i popullsisë 290,409.

Fieri: Për prodhimin e Brendshëm Bruto për Frymë në rajon, qarku i Fierit zë vendin e dytë me një PBB prej 599.000 lekësh. Numri i popullsisë 292,317.

Gjirokastra: Qarku me gjenerimin më të madh të mbeturinave. 0.75 ton mbetje për frymë qarkullojnë në qarkun e Gjirokastrës. Numri i popullsisë 60,395.

Korça: Qarku i dytë me pjesëmarrjen më të madhe në forcat e punës, konkretisht 68.4% pjesëmarrjen për popullsinë mbi 15 vjeç. Numri i popullsisë 206,364.

Kukësi: Qarku me shkallën më të lartë të rritjes natyrore të popullsisë, konkretisht 7.42 për 1000 banorë. Numri i popullsisë 76,011.

Lezha: Qarku me shkallën më të lartë të papunësisë. 17.7% e popullsisë mbi 15 vjeç është i papunë në qarkun e Lezhës. Numri i popullsisë 123,953.

Shkodra: Qarku me përqindjen më të lartë të nxënësve regjistruar në arsimin e mesëm privat. 17.8% e tyre kanë preferuar të mos regjistrohen në shkolla publike. Numri i popullsisë 201,452.

Tirana: Kryeqyteti është qarku me shkallën më të lartë të migrimit të brendshëm neto, 10.5 për 1000 banorë. Numri i popullsisë 900,661.

Vlora: Qarku me prodhimin më të madh të agrumeve. Në Vlorë prodhohen 68% e tyre. Numri i popullsisë 189,116.

Jetëgjatësia në lindje

Jetëgjatësia e pritur në lindje tregon se sa kohë pritet të jetojnë njerëzit, bazuar kjo në koeficientët e posaçëm të vdekshmërisë për një vit të caktuar.

Në vitin 2019, jetëgjatësia e pritur në lindje në Shqipëri, për tërë popullsinë ishte 79,0 vjet.

Ajo ishte 77,6 vjet për burrat dhe 80,6 vjet për gratë.

Kjo do të thotë që gratë pritet të jetojnë afro 3 vjet më shumë se burrat.

Në vitin 2019, qarku me jetëgjatësinë më të lartë të pritur në lindje për burra ishte ai i Tiranës, me 80,6 vjet, ndërsa qarku me treguesin më të ulët të jetëgjatësisë ishte ai i Gjirokastrës, me 73,5 vjet.

Në të njëjtin vit, qarku me jetëgjatësinë më të lartë të pritur në lindje për gratë ishte ai i Tiranës, me 84,4 vjet, ndërsa qarku me treguesin më të ulët të jetëgjatësisë ishte ai i Beratit, me 77,7 vjet.

Ndryshimi i popullsisë

Popullsia e Shqipërisë ka ardhur duke u zvogëluar që nga viti 2001, megjithëse jo të gjitha qarqet kanë ndjekur këtë prirje. Gjatë vitit të kaluar, popullsia e Shqipërisë u pakësua nga 2.866.376 në 2.854.191 banorë.

Në vitin 2019, qarku me popullsinë më të lartë në Shqipëri ishte ai i Tiranës, me 900.661 banorë, i ndjekur nga qarku i Fierit me 292.317 banorë.

Në të njëjtën kohë, dy qarqet me popullsinë më të ulët në vitin 2019, ishin ato të Kukësit dhe Gjirokastrës, respektivisht me 76.011 dhe 60.395 banorë.

Gjatë vitit 2019, vetëm popullsitë e qarqeve të Tiranës dhe Durrësit janë rritur, ndërsa të gjitha qarqet e tjera kishin një normë negative të rritjes së popullsisë.

Qarku i Tiranës ka pasur nivelin më të lartë të rritjes së popullsisë gjatë vitit 2019, pasi u rrit me 1,25 % krahasuar me vitin 2018.

Nga ana tjetër, qarku me normën më të ulët të rritjes së popullsisë ishte ai i Gjirokastrës, me –2,89 %, gjatë vitit 2019. Gjatë vitit 2019, vetëm popullsia e 12 bashkive është rritur, duke marrë parasysh rritjen natyrore të popullsisë dhe

migracionin e brendshëm neto, ndërsa të gjitha bashkitë e tjera të mbetura, patën një rritje negative të popullsisë pa migracionin ndërkombëtar.

Bashkia e Tiranës ka pasur rritjen më të lartë të popullsisë pa migracionin ndërkombëtar, gjatë vitit 2019, pasi u rrit me 11.455 banorë, e ndjekur nga bashkia e Durrësit, e cila u rrit me 2.549 banorë.

Nga ana tjetër, bashkia e Dibrës ka rritjen më të ulët të popullsisë pa migracionin ndërkombëtar gjatë vitit 2019, pasi ajo u ul me 790 banorë, e ndjekur nga bashkia e Mallakastrës, e cila u ul me 487 banorë.

Statistikat e prezantuara janë përgatitur nga sektorët e specializuar të INSTAT-it dhe me mbështetjen dhe këshillimin ekspertëve të projektit SALSTAT “Për Statistika të forta Lokale Shqiptare”.