Pikërisht në ditët kur disa sonda të reja arrijnë orbitën e Marsit, lajmi i zbulimit të gazrave të rinj dhe gjurmëve të ujit mbërrin nga Exomars i ESA.
Ndërsa ka një pritshmëri të madhe mes studiuesve për rezultatet që do të vijnë nga këto misione shkencore, dy hulumtime të reja që përdorën të dhëna të mbledhura nga sonda evropiane ExoMars, e cila ndodhet rreth Marsit, dhe të botuara në Science Advances zbulojnë fenomene kimike të panjohur dhe ofrojnë më shumë informacion mbi ndryshimet sezonale dhe ndërveprimet sipërfaqe-atmosferë.
“Për herë të parë kemi zbuluar ekzistencën e klorur hidrogjenit në Mars. Është zbulimi i parë i këtij gazi në atmosferën e Marsit dhe përfaqëson një cikël të ri kimik për t’u studiuar”, shpjegoi Kevin Olsen i Universitetit të Oksfordit, një nga shkencëtarët që morën pjesë në kërkim.
Klorur hidrogjeni, ose HCl, është një gaz i përbërë nga një atom hidrogjeni dhe një klor. Shkencëtarët që studiojnë Marsin kanë qenë gjithmonë në kërkim të gazrave me klor dhe squfur, pasi mendohet se janë tregues të mundshëm të aktivitetit vullkanik. Por në këtë rast, meqenëse gazi u zbulua njëkohësisht në vende me distancë mes tyre dhe në mungesë të gazrave të tjerë që mund të lidhen me një aktivitet vullkanik, situata tregon një burim tjetër. Shkencëtarët besojnë se ekziston një ndërveprim krejtësisht i ri sipërfaqe-atmosferë, i nxitur nga stinët me pluhur të pranishme me një farë rregullsie në Mars.
Ky mund të jetë një proces shumë i ngjashëm me atë të parë në Tokë, kripërat në formën e klorurit të natriumit, të prodhuara nga avujt e oqeaneve dhe të mbyllura në sipërfaqen me pluhur të Marsit, ngrihen nga erërat në atmosferë . Drita e diellit ngroh këtë të fundit dhe shtyn pluhurin dhe avujt e ujit të lëshuar nga kupat polare që ngrihen. Pluhuri i kripës reagon me ujin atmosferik për të çliruar klorin, i cili nga ana e tij reagon me molekulat që përmbajnë hidrogjen, duke prodhuar klorur hidrogjeni.
Reaksione të mëtejshme kanë parë që pluhuri i pasur me klor ose acid klorhidrik kthehet në sipërfaqe, ndoshta në formën e perkloratit, një klasë kripe e përbërë nga oksigjeni dhe klori. Kjo kripë u vëzhgua gjithashtu në sipërfaqe nga sonda të tjera. “Ju duhet avull uji për të çliruar klor dhe ju duhen nënprodukte uji – hidrogjen – për të formuar klorur hidrogjeni. Uji është thelbësor në këto reaksione kimike”, thotë Olsen. Ekipi hulumtues për herë të parë vuri re gazin gjatë stuhisë së pluhurit në 2018, duke vëzhguar se ajo shfaqej njëkohësisht në hemisferën veriore dhe jugore dhe regjistroi zhdukjen e tij çuditërisht të shpejtë përsëri në fund të periudhës me pluhur.
Përveç gazrave të rinj, Trace Gas Orbiter, një instrument në bordin e ExoMArs po përpunon njohuritë tona se si Marsi humbi ujin. Tani është vërtetuar mirë se uji i lëngshëm dikur rrodhi në sipërfaqen e Marsit, siç dëshmohet në shembujt e shumtë të luginave antike të thata dhe shtretërve të lumenjve. Sot uji është i izoluar kryesisht në kupat polare dhe është varrosur nëntokë. Por një pjesë e madhe shkon në hapësirë. Të dhënat e ExoMars të mbledhura midis prillit 2018 dhe prillit 2019 treguan tre situata që favorizuan humbjen e ujit nga atmosfera: stuhia globale e rërës e vitit 2018, një stuhi e shkurtër por e fortë rajonale në janar 2019 dhe lirimi i ujit nga kupa polare jugore gjatë muajve të verës, të lidhura me ndryshimin e sezonit. Veçanërisht vihet re një shteg i avullit të ujit në rritje gjatë verës në jug, që potencialisht injekton ujë në atmosferën e sipërme në baza sezonale dhe vjetore.