Mario Draghi do të jetë kryeministri i ri i Italisë. Ish-kreu i Bankës Qendrore Europiane do të betohet përballë presidentit Sergio Mattarella, ditën e nesërme në mesditë.
Draghi ka arritur të gjejë numrat që i duhen për të marrë votëbesimin në Parlament, pas mbështetjes së Lëvizjes 5 Yje, Partisë Demokratike por edhe Forca Italia të Silvio Berlusconit dhe Legës së Matteo Salvinit.
Ndërkohë, Draghi ka bërë të ditur edhe ministrat që do të përbejnë ekzekutivin e tij, i mbështetur pothuajse nga të gjitha forcat politike nga e majta e Partisë Demokratike deri tek e djathta e Salvinit, me përjashtim të Fratelli d’Italia.
Ministrat do të jenë 23, 15 figura politike, që përfshijnë një spektër të gjerë dhe pothuajse të paprecedent në historinë italiane, dhe 8 do të jenë “teknikët”.
Ministër i Jashtëm do të mbetet Luigi Di Maio, lideri i Lëvizjes 5 Yje, ndërkohë që ministria e Ekonomisë, e rëndësishme në një periudhë krize si ajo që po përjeton vendi, i është një prej personave më të besuara të Draghit, ekonomistit Daniele Franco.
Mbështetja e Berlusconit është qartë edhe me rikthimin e disa prej ish-ministrave të tij, si Mara Carfagna, Maria Stella Gelmini dhe Renato Brunetta.
Ministria e Brendshme mbetet në duart teknike të Luciana Lamorgese, një nga figurat e respektuara të administratës publike.
Tashmë shteti italian do të drejtohet nga një 73-vjeçar i cili njihet për aftësitë e tij në drejtimin e Bankës Qendrore Europiane në momentet më të vështira të kontinentit të vjetër, kriza ekonomike.