Eshtrat e ushtarëve francezë dhe rusë, të vrarë gjatë tërheqjes katastrofike të Napoleonit nga Moska në 1812 u varrosën sot, duke shënuar një moment të rrallë uniteti midis dy vendeve.
Zyrtarët dhe pasardhësit e udhëheqësve ushtarakë rusë dhe francezë të shekullit të XIX u mblodhën për një ceremoni në perëndim të Rusisë për të rivarrosur eshtrat e 126 personave të vrarë në një nga betejat më të përgjakshme të fushatës ruse të Napoleonit.
Ceremonia nën flokët e borës dhe temperaturë 15 gradë nën zero u zhvillua në qytetin Vyazma, raporton France 24. Eshtrat e 120 ushtarëve, tre grave dhe tre adoleshentëve u varrosën dy vjet pasi u zbuluan në një varr masiv nga arkeologët francezë dhe rusë. Varri u zbulua për herë të parë gjatë punës për një ndërtim të ri dhe fillimisht besohej të ishte një nga shumë varret masive të Luftës së Dytë Botërore që ndodhen në Rusinë perëndimore.
Por një studim i Akademisë Ruse të Shkencave më vonë tregoi se eshtrat ishin të viktimave të fushatës së Napoleonit, shumica në të 30-tat në kohën e vdekjes.
Tri gratë besohet të jenë të ashtuquajturat “vivandieres”, të cilat ofruan ndihmën e parë dhe punuan në mensa në ushtrinë franceze, ndërsa tre adoleshentët besohet të kenë qenë bateristë.
Të gjithë mendohet se kanë rënë gjatë betejës së Vyazmas më 3 nëntor 1812 në fillim të tërheqjes së ushtrisë franceze nga Moska dhe para kalimit të lumit Berezina. Ceremonia zhvillohet në vitin kur Franca shënon dyqindvjetorin e vdekjes së udhëheqësit ushtarak. Ajo shënoi një moment të rrallë të unitetit midis Rusisë dhe Europës në një kohë kur tensionet mes dy vendeve janë shtuar për një mori çështjesh, duke përfshirë shtypjen gjithnjë e më të ashpër të Kremlinit ndaj opozitës.