Moti i acartë ka mbërthyer gjithë vendin. Zonat malore po përballen me një situatë të vështirë për shkak të reshjeve të dëborës që kanë nisur prej këtij mëngjesi. Moti i keq ka sjellë problematika në qarkun e Dibrës, ku për shkak të reshjeve të dëborës rreth 50 automjete u bllokuan në rrugën Kuben–Muhurr.
Dëborë ka edhe në qarkun e Korçës ku qarkullimi i mjeteve rekomandohet me zinxhirë në rrugën Korçë Ersekë, në Qafën e Qarrit. Të nevojshëm zinxhirët janë edhe në rrugën e Dardhës dhe rruga Voskop-Voskopojë për mjetet e vogla. Në disa zona të thella malore në Elbasan, Librazhd, Gramsh dhe Prrenjas, trashësia e dëborës ka mbërritur deri në 30 cm.
Vëmendja është përqendruar në Qafëthanë ku lëvizet vetëm me zinxhirë. Stuhia e dëborës ka shkaktuar shembje të disa shtyllave dhe këputje të përcjellësve duke lënë në errësirë disa fshatra. Dëbora si rrallëherë ka përfshirë edhe zonat ulëta deri në bregdet. Këto janë pamjet që vijnë nga Shëngjini dhe Lezha.
Por teksa disa qarqe vuajnë acarin disa të tjera po përballen me pasojat e shirave. Situata e përmbytjeve në qarkun e Shkodrës është përkeqësuar gjatë natës. Në raportin e përditshëm, Bashkia e këtij qyteti bën me dije se mëngjesin e kësaj të shtune rezultojnë nën ujë 5370 Ha.
E përmirësuar është situata në qarkun e Durrësit ku prurjet e lumenjve Erzen dhe Ishëm janë ulur ndjeshëm. Me mot të paqëndrueshëm po përballet edhe Vlora.
Reshjet do përfshijnë edhe Tiranën
Shumë pranë kryeqytetit, mali i Dajtit është zbardhur nga dëbora. Kjo ka bërë që qytetarë të shumtë të rënden pas borës.
Sinoptikanët thonë se edhe kryeqytetasit do ti gëzohen bardhësisë. Ndonëse do të jenë pakta reshjet e dëborës, kryeqyteti do të zbardhet.
“Parashikohet që orët vijuese të sjellin një renë të lehtë të temperaturave ku 95 % e territorit shqiptar të përfshihet nga bora. Edhe në zona të ulta përfshirë Tiranën, Durrësin ku sasia e reshjeve do jetë 3-4 cm”, thotë Lajda Porja.
Por reshjet e dëborës nuk do zgjasin për shumë ditë në të gjithë territorin.
“Pas ditës së diel do te kemi një postim të reshjeve në juglindje dhe verilindore, pasi moti do të jetë i kthjellët”.
Temperaturat në zonat malore do të shkojnë afro -20 gradë celsius.
“Do të ketë rënie të djeshme të temperaturave ku do të shkojnë deri në -15 gradë. Deri në -20 në Zonat malore”.
Kjo situatë me mot të acartë do të zgjasë për afro një javë, më pas temperaturat do të rikthehen në vlerat normale për muajin Shkurt.