Historia e gjatë e dashurisë mes Sergio Ramos dhe Realit të Madridit është në muajt e saj të fundit. Kontrata aktuale e mbrojtësit spanjoll me Los Blancos skadon në verën e ardhshme dhe bisedimet për rinovimin kanë ngecur përfundimisht pasi palët nuk kanë gjetur një akord për firmosjen e një marrëveshje të re.
Duke patur parasysh problemet ekonomike dhe humbjet e mëdha për shkak të pandemisë COVID-19, drejtuesit e Realit i kanë ofruar mbrojtësit të kombëtares spanjolle një kontratë të re me një pagë 10% më të ulët se ajo aktualja të cilën Ramos nuk e ka pranuar.
Tashmë largimi pas 16 vitesh nga Reali i kapitenit duket mëse i sigurt. Sipas asaj që raporton emisioni i njohur sportiv spanjoll El Chiringuito shanset që Ramos të qëndrojë te Reali janë pothuajse zero. E ardhmja e 34-vjeçarit ende nuk dihet, megjithatë Paris Saint Germain po e vëzhgon me vëmendje situatën në të cilën ndodhet Sergio Ramos, ndërkohë që nuk përjashtohet as largimi nga Europa për një aventurë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose Lindjen e Mesme.
Në këtë sezon me Realin e Madridit Sergio Ramos i cili aktualisht është i dëmtuar është aktivizuar në 18 takime duke realizuar dhe 3 gola.