Aktualitet Operacioni për kapjen e 32-vjeçarit në Tiranë çon në pranga dy të...

Operacioni për kapjen e 32-vjeçarit në Tiranë çon në pranga dy të tjerë, mes tyre një efektiv policie

Tre persona përfunduan në prangat e autoriteteve në Tiranë, mes tyre edhe një efektiv policie. Të arrestuarit janë Arbër Balliu, një person i shpallur në kërkim për tentativë vrasje, efektivi i policisë, Demiraldo Heta, si dhe Igli Pojana.

Operacioni në fjalë kishte për qëllim kapjen e 32-vjeçarit Arbër Balliu, i cili ishte në kërkim pasi dyshohet se në 2019 tentoi të vrasë një person me iniciale E.K.

Por gjatë operacionit për kapjen Balliut në një banesë në Tiranë, ai u gjet me oficerin e policisë së Dibrës, Demiraldo Heta, i cili jetonte në kryeqytet. 30-vjeçari përfundoi në pranga për përkrahje të autorit të krimit.

Megjithatë operacioni i policisë nuk u mbyll këtu. Efektivët kishin informacion se Balliu kishte një tjetër shtëpi, ku autoritetet shkuan për kontroll. Në këtë banesë u gjetën rreth 2.3 kilogramë kanabis, por jo vetëm. Aty u gjet edhe personi i tretë që përfundoi në pranga, 56-vjeçari Igli Pojana. Ky i fundit u kap duke paketuar kanabisin.

Në njoftimin e saj për mediat policia thotë se ka sekuestruar gjithashtu 250.000 lekë të rinj, që dyshohet se këta persona i kanë përfituar nga shitja e lëndës narkotike.