Bota Suedia dhe Danimarka planifikojnë “pasaporta vaksinimi” ndaj koronavirusit

Suedia dhe Danimarka planifikojnë “pasaporta vaksinimi” ndaj koronavirusit

Deri në verë Suedia dhe Danimarka duan të aplikojnë pasaportën digjitale ndaj vaksinës së koronavirusit – për të lehtësuar p.sh, udhëtimet. Kush përfiton dhe kush jo? Si paraqitet gjendja në vendet e tjera?

Suedia deri tani ka ndjekur një rrugë të veçantë në pandeminë e koronavirusit. Në vend të masave izoluese dhe kufizimeve si në vendet e tjera europiane, suedezët fillimisht i varën shpresat tek imuniteti i tufës – dhe më vonë tek arsyeja e njerëzve. Për këtë kjo strategji u kritikua shumë, kryesisht në sfondin e rritjes së numrit të infeksioneve. Sipas Universitetit John Hopkins deri tani në Suedi janë infektuar mbi 600.000 vetë me koronavirus.

Tani ky vend bashkë me Danimarkën sërish duan të ndjekin një rrugë të tyren duke dashur të aplikojnë deri në verë certifikatën digjitale të vaksinës ndaj koronavirusit.

Për çfarë është menduar pasaporta e vaksinimit?

Fillimisht synohet, sipas ministrit të Digjitalizimit Anders Ygeman, që në këtë mënyrë të vërtetohet, që personi është i vaksinuar.

Të tilla dëshmi mund të ndihmojnë p.sh. për udhëtimet në vende të tjera ose janë të rëndësishme edhe në veprimtaritë kulturore e sportive. Infrastruktura digjitale për vaksinën duhet të jetë gati deri më 1 qershor. Në këtë proces marrin pjesë disa dikastere.

Danimarka i bëri publike shumë më përpara planet e saj për pasaportën e vaksinimit. Kjo synon që të lehtësojë udhëtimet me shërbim pune. Ky dokument mund të jepet në formë digjitale përmes faqeve të internetit të institucioneve të shërbimit shëndetësor në Danimarkë ose përmes smartphone. Mundësi të tjera për përdorimin e saj nuk janë bërë të ditura.

Si po ecën vaksinimi në Danimarkë e në Suedi?

Aktualisht nga pasaporta digjitale e vaksinimit përfitojnë vetëm pak njerëz. Sipas platformës online “Our World in Data” (përditësuar më 14.02.) deri tani në Danimarkë janë vaksinuar 6,87 përqind e popullsisë, në Suedi 4,53 përqind. Në këtë mënyrë kuota e vaksinimit në të dyja vendet është e ngjashme si edhe në Gjermani (4,95 përqind) dhe në BE në përgjithësi. Sa për krahasim, vendi kryesues Izraeli ka vaksinuar deri tani rreth 74 përqind të popullsisë.

Është e paqartë nëse në Suedi shumica e njerëzve do të pranojë të vaksinohet. Ky vend është në përgjithësi kritik ndaj vaksinimit, qëkurse pas vaksinimit masiv përpara dhjetë vjetësh ndaj gripit të derrit tek fëmijët dhe të rinjtë u konstatuan pasoja të rënda shëndetësore. Qindra u sëmurën në mënyrë të pashërueshme prej narkolepsisë, ku njerëzit zhvillojnë varësi prej gjumit të papritur, Vaksina e atëhershme konsiderohet si një ndër skandalet më të mëdha mjekësore në vend dhe ende ajo ka mbetur e ngulitur në memorjen kolektive të njerëzve.

Me një pasaportë vaksinimi të vaksinuarit mund të gëzojnë privilejge. Por ajo që duket si pozitive në vështrim të parë, ka edhe anën tjetër të medaljes. Kritikët druajnë, që kështu i hapet porta vaksnimit të detyruar – kryesisht për njerëzit, që duan ose u duhet të udhëtojnë ose të marrin pjesë në jetën shoqërore.

Kjo mund ta përçajë shoqërinë, argumenton ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer. Po ashtu një hap i tillë mund të trondisë besimin tek politika, që deri tani e ka përjashtuar vaksnimin e detyruar.

Në Suedi u bazuan gjatë tek arsyeja, ndonëse numri i infeksioneve ishte i lartë. Për aq kohë sa nuk ka mjaftueshëm vaksina, avantazhet për të vaksinuarit nuk janë korrekte, thonë kritikët. Kësaj i shtohet edhe fakti, që jo të gjithë njerëzit mund të vaksinohen pa asnjë kufizim. Sepse ka njerëz, që vuajnë nga alergjitë e rënda dhe marrin medikamente për forcimin e imunitetit, gratë shtatzëna dhe nënat lehonë do të duhej më mirë t‘i shmangeshin vaksinimit. Kësisoj këta njerëz do të përjashtoheshin me pa të drejtë nga avantzahet.

Çfarë është planifikuar në vendet e tjera europiane?

Edhe vende të tjera europiane si Greqiam Qiproja dhe Spanja kërkojnë aplikimin e unifikuar të pasaportës së vaksinimit, në mënyrë që të vaksinuarit të mund të udhëtojnë sërish. Kjo do t’i jepte sërish një hop turizmit. Polonia dhe Rumania kanë shfuqizuar detyrimin për karantinë për udhëtarët, nëse ata janë të vaksinuar ndaj koronavirusit. Edhe BE është duke e shqyrtuar mundësinë e pasaportës së vaksinimit. Komisarja e Shëndetësisë Stella Kyriakides deklaroi, se ajo nuk është për pasaportë, por për “certifikatë” vaksinimi. Dallimi është sipas saj që “në këtë dokument që ne mendojmë do të regjistrohet vetëm të dhënat mbi vaksinimin.”/DW