Bota Dr. Fauci nderohet me çmimin prestigjioz izraelit 1 milion dollarësh

Dr. Fauci nderohet me çmimin prestigjioz izraelit 1 milion dollarësh

Eksperti numër një i SHBA për sëmundjet infektive, Anthony Fauci, ka fituar çmimin prestigjioz “Dan David”, me motivacionin se “ka mbrojtur shkencën”.

Çmimi prestigjioz izraelit, i themeluar nga biznesmeni i ndjerë Dan David, vjen me një shpërblim prej 1 milionë dollarësh dhe jepet çdo vit, prej vitit 2000.

Fauci u vlerësua për rolin e tij udhëheqës në kërkime për HIV/Aids por në veçanti në luftën për njohjen e qasjeve të reja siç janë vaksinat e ARN-së, që “tani u jepen miliona njerëzve në të gjithë botën, si edhe për mbrojtjen me guxim të shkencës përballë kundërshtarëve të painformuar gjatë krizës sfiduese të Covid”, thuhet në një deklaratë të komitetit të çmimit.

Dr Fauci, 80 vjeç, ka qenë këshilltar për 7 presidentë amerikanë. Ai drejton Institutin Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive që prej vitit 1984.

Kandidatët e Çmimit “Dan David” dhurojnë 10 % të parave të tyre të shpërblimit për bursa për studiues të diplomuar ose pasuniversitarë në fushat e tyre përkatëse.

Fauci është shprehur shpesh në kundërshtim me deklaratat e ish-presidentit Donald Trump gjatë vitit të kaluar, ndërsa mori një vëmendje globale për shkak të daljeve të shpeshta në media.