Humbasin jetën dy punonjës të OSHEE në Gjirokastër, pasi makina me të cilën udhëtonin ka rënë në lumin Drino gjatë mesnatës.
Elektricistët Selfo Kallfa, 52 vjeç dhe Ismet Isaraj, 64 vjeç, ishin nisur për të parë avarinë në fshatin Asim Zeneli, por si pasojë e terrenit të keq dhe errësirës, mjeti me të cilin lëviznin dy punonjësit e OSHEE ka rrëshqitur pranë bregut të lumit.
Për shkak të thellësisë së ujit dhe motit të acartë u desh ardhja e polumbarëve nga Tirana për nxjerrjen e trupave dhe automjetin.
“Rreth orës 00:30, në shtratin e lumit Drino, një automjet të OSHEE-së, në përpjekje për të kaluar lumin, e ka marrë rrjedha e lumit dhe për pasojë kanë humbur jetën dy elektricistët që ndodheshin në mjet, shtetasit I. I., 64 vjeç dhe S. K., 52 vjeç banues në Gjirokastër. Trupat e të dy shtetasve u nxorën nga polumbarët e RENEA-s. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha Policia e Gjirokastrës në një njoftim për mediat.