Kryesues në Serie A, favoritë për titullin në Itali pas më tepër se një dekade, por në atë që duket sezoni më i mirë, Interi mund të ketë një peng, për të cilin do të pendohet në të ardhmen e afërt. Bëhet fjalë për pakujdesinë e klubit, që lejoi largimin e rekordmenit shqiptar, Ramën Çepele. Futbollisti më i ri që ka luajtur në histori me Kombëtaren shqiptare u largua nga akademia zikaltër, për t’u transferuar te Hannover në Gjermani.
17-vjeçarit nuk iu dha asnjë shans në ekipin e parë dhe mungesa e hapësirave e detyroi të largohej. Por, sipas gazetës spanjolle “As”, duke humbur talentin shqiptar, Interi ka bërë një gabim për të cilin padyshim që do të pendohet.
Edhe pse është në moshë fare të re, Çepele cilësohet si Bonucci i ri. Mjaft pozicional dhe i zgjuar taktikisht, djaloshi 1,90 i gjatë i ka të gjitha premisat të shndërrohet në një prej mbrojtësve më të mirë në arenën ndërkombëtare.
Për më tepër, që në këto vite, të gjitha skuadrat e mëdha po vuajnë për të gjetur mbrojtës qendre cilësorë dhe me aftësi të ngjashme me yllin kuqezi. Edhe pse ka luajtur me të gjitha përfaqësueset e moshave të Italisë, në fund Çepele zgjodhi të përfaqësonte vendin e origjinës, Shqipërinë. Ai debutoi në ndeshjet ndërkombëtare përballë Kosovës, duke shfaqur një nivel të lart loje.