Aktualitet Kush është biznesmeni nga Tepelena i ekzekutuar në derë të shtëpisë në...

Kush është biznesmeni nga Tepelena i ekzekutuar në derë të shtëpisë në Islandë

Pak pas mesnate, Armando Beqiri parkoi makinën e tij në garazh dhe iu drejtua shtëpisë ku banonte, kur u ekzekutua me armë zjarri. Ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën në Rauðagerði, në Reikjavik të Islandës.

Beqiri, i cili të martën do të kishte mbushur 33 vjeç ishte me origjinë nga Tepelena dhe jetonte në Islandë që prej 2014-s. Atje kishte mësuar gjuhën, ishte njohur me një grua islandeze dhe ishte martuar. Ata kishin një djalë 15 muajsh dhe prisnin të bëheshin sërish prindër pas pak muajsh.

Shqiptari, sipas asaj që raportojnë mediat vendase, ishte integruar shumë mirë në Islandë. Ai mësohet se ishte edhe pronari i një biznesi që merrej me sigurinë në Gerðarinn, ndërsa gëzonte edhe nënshtetësinë islandeze. Krenar për arritjet, Beqiri ishte fans i zjarrtë i kombëtares islandeze, ndërsa edhe kishte votuar për herë të parë në këtë shtet.

Shkaqet e vrasjes nuk janë të qarta, dyshimet janë se mund të ketë ardhur si pasojë e përplasjes mes bandave, megjithatë hetimet për ngjarjen e rëndë vijojnë. Deri më tani në pranga janë vënë 4 persona. Si autor i dyshuar i ngjarjes është një lituanez.

33-vjeçari kishte miq të shumtë, e kjo mund të dallohet edhe në rrjetet sociale, ku të shumtë janë ata që shprehin dhimbjen për humbjen e tij.

Një prej miqve të Beqirit, gjithashtu shqiptar, ndau edhe një video të Beqirit, teksa pinin kafe bashkë. “Do më mungosh miku im, do jesh gjithmonë në zemrën time. Nuk do t’i harroj kurrë momentet që kemi kaluar bashkë. Pushofsh në paqe”, shkruan ai.